Koordinatori i BDI-së, Arbër Ademi deklaroi në “Rruga drejt…” se opozita po keqpërdor shëndetin e deputetëve të cilët janë të prekur nga Kovid-19 dhe po bllokon punën e Kuvendit. Sipas tij, zhvillimet e fundit që po ndodhin në Kuvend janë të paprecedent sepse nuk po bllokohen ligje të caktuara por po bllokohet e gjithë puna e Kuvendit, gjë që sipas tij nuk mbahet mend në historinë e parlamentarizmit të vendit tonë. Ademi madje përkujtoi se edhe subjekti i tij, BDI ka bllokuar ligjin për branitellat, por jo dhe ligjet tjera që janë në interes të qytetarëve.
“Ajo çka dua të theksoj, vërtetë është një situatë e paprecedent, është e pazakontë, krejtësisht është e panjohur kjo situatë çka po ndodh në kuvend dhe do duhet të them se po keqpërdoret gjendja shëndetësore e deputetëve të cilët fatkeqësisht kanë pësuar nga Kovid-19, dhe nuk mund të bëjnë shumicën e nevojshme. Ka edhe deputetë opozitarë të cilët janë të infektuar, por ama opozita s’po mban llogari për punën dhe funksionimin e Kuvendit. Pse po e them këtë, se është e paprecedent, është e panjohur në parlamentarizmin në historinë e parlamentarizmit të vendit tonë që an-bllok të gjitha ligjet pa përjashtim të bllokohen me metoda të njëjta edhe një parlamenti tërësisht të jetë jofunksional. Është e panjohur dhe paprecedent. BDI-ja ka bllokuar në të kaluarën, ka shfrytëzuar mekanizmat e këtilla, mirë ama për ligje specifike, ligjin për branitellat, me mijëra amendamente, por vetëm atë ligj, ligjet e tjera të cilat janë në interes të qytetarëve nuk i kemi bllokuar”, tha Arbër Ademi, BDI