Kryetari i Komisionit për çështje evropiane dhe deputet nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi ka folur para mediave për miratimin e Ligjit për shtetësi.
“Sot kaloi Ligji për shtetësi, Ligji që u propozua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me flamur evropian me procedurë të shkurtër, ku Kuvendi, shumica e deputetëve në Kuvend i dhanë dritë jeshile këtij Ligji me çka konkretisht u ofrohet edhe një mundësi shtesë qytetarëve të cilët nuk janë të pajisur me shtetësinë. Me këtë akt të rëndësishëm, prej të cilit varet të drejtat dhe detyrimet e tyre, në shtetin ku jetojnë dhe paguajnë taksa”, tha Ademi, transmeton TV21.
Ka kujtuar publikun, se një zgjidhje e këtillë ligjore nuk u miratua në procedurë të rregullt, “pasi ende kemi deputetë të tillë që konsiderojnë se me një akt të tillë po shkaktohet ndonjë dëm apo po bëhet ndonjë gjë e madhe”.
“Nuk është kjo e vërteta, e vërteta është se ka ende persona pa shtetësi fatkeqësisht. Ne para publikut disa herë kemi thënë se nuk bëhet fjalë për 70 mijë qytetarët siç aludonte opozita, por përkundrazi bëhet fjalë për një numër më të vogël të qytetarëve”, tha Ademi.