Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është pritur sot në Tiranë nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në takim, siç thuhet në kumtesën e BDI-së, është theksuar bashkëpunimi i lartë i deritanishëm dhe mbështetja e përkushtimi në procesin e integrimit evropian si vende që ecin të njëjtën rrugë.
“Gjatë këtij takimi, është diskutuar edhe mbi situatën në veri të Kosovës dhe nevojën imediate për arritjen e marrëveshjes së paqes me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve me qëllim të stabilitetit në Ballkan.
Ahmeti e ka informuar presidentin Begaj mbi ratifikimin e Marrëveshjes mes dy qeverive për vendosjen e vendkalimeve kufitare të përbashkëta sipas konceptit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One – stop shop”, duke theksuar se ky projekt duhet të fillojë implementimin shpejtë, për përshpejtim dhe thjeshtëzim të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.”, thuhet në kumtesë.