Ahmeti: Emri i ri, Maqedonisë dhe shqiptarëve do t’u hapë perspektivë të re

Proces tejet i komplikuar dhe me kompromise jo të lehta i ka cilësuar partneri i koalicionit qeverisës në Maqedoni, përkatësisht kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ndryshimet kushtuese që çuan në ndryshimin e emrit të Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Ahmeti, në një intervistë për KTV-në, në Tetovë, ka folur për hapat e tjerë që tashmë e presin Maqedoninë pas këtyre ndryshimeve kushtetuese.

Ai ka thënë se ky moment duhet t’u shërbejë të gjithëve drejt pajtimit të popujve për një perspektivë të re.
Futja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë, sipas Ahmetit, edhe njëherë dëshmon se shqiptarët janë shtet-formues në Maqedoni.

Përmes kësaj marrëveshjeje, shqiptarët do ta kenë më të lehtë realizimin e të drejtave të tyre.

Një tjetër ligj që pritet të përmirësojë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, është edhe ligji për dygjuhësi, i cili sipas Ahmetit, pritet të nënshkruhet brenda pak ditëve nga kreu i Kuvendit.

Ahmeti ka thënë se përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoni duhet të konsolidohen më mirë, në mënyrë që të arrihet sa më lehtë materializmi i të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, derisa ka hedhur kritika në drejtim të opozitës, e cila kundërshtoi marrëveshjen gjatë gjithë kohës.