Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në vend, z. Matthew Lawson.
Ahmeti dhe Lawson bashkëbiseduan mbi momentumin politik, rëndësinë e stabilitetit politik, aleancën europiane të forcave progresive, unitetin veprues për miratimin pa prolongim të stërgjatur të ndryshimeve kushtetuese dhe fokusimin e plotë të vendit në realizimin e reformave për të përshpejtuar procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Ahmeti shprehu falemnderim ndaj përkrahjes që shteti britanik i ka dhënë gjithmonë proceseve të zhvillimit demokratik dhe ekonomik të vendit, anëtarësimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Europian, si dhe për përkrahjen konstruktive në tejkalimin e kontesteve në frymën e fqinjësisë së mirë dhe avancimit të rrugës europiane.
Ahmeti njoftoi ambasadorin Lawson mbi takimet informative që po realizon Bashkimi Demokratik për Integrim me qytetarët nën moton “Bashkë për në Europë” për të përcjellur mesazhin e qartë të bashkimit të forcave në misionin e integrimit.
Aleanca europiane e partive progresive është e ardhmja, ka potencuar mes tjerash Ahmeti.
Ambasadori Lawson ka përsëritur përkrahjen britanike për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, si dhe reformat në vend, por edhe interesimin e madh për të rritur investimet britanike në vendin tonë.