Ahmeti: Nuk jam për ndryshim kufijsh

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur lidhur me çështjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë së cilës palët dita e ditës po i afrohen.

Marketing

Ahmeti u shpreh se pavarësisht negociatave dhe rrjedhës në dialogun Prishtinë-Beograd, nuk është pro prekjes së kufijve, njofton Klan Kosova.

”Unë nuk jam për ndryshim kufijsh. Jam për t’u arritur marrëveshje. Por tani gjithçka varet nga negociatat por edhe nga lehtësuesit”, thotë ai.

Lidhur me ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në lehtësimin e procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë, Ahmeti tha se nuk ka asnjë dilemë se do ketë rezultate.

”Nuk mendoj që SHBA, mendon të bëjë veprim në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe s’kam asnjë dilemë që Amerika në 20 vjetët e fundit kanë marrë vendime të drejta. Unë i besoj Amerikës pa rezervë. Asnjëherë nuk jam zhgënjyer sa herë kam bashkëpunuar me autoritetet amerikane”, është shprehur Ahmeti.

Kreu i BDI-së në “Rubikon” tha se shqiptarët e Kosovës duhet t’i besojnë aleatëve të saj – SHBA-së.

”Kosova pa rezervë, duhet t’i besojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jam dëshmitar, i kam jetuar disa situata. U ndryshuan administratat, strategjia e Amerikës nuk ndryshon. Ndryshojnë politikat të cilat kanë të bëjnë me ekonominë, ato politika madhore të jashtme por jo Amerika”, shton ai.

Sipas tij, duhet të akordohen Brukseli – Uashingtoni, sepse në të gjitha proceset BE ka qenë pjesë e pandarë bashkë me SHBA-të në zgjidhje të problemeve dhe do të doja siç tha, “edhe ky investim, kjo zgjidhje të jetë bashkë me Brukselin”.

”E kuptoj që në Bruksel ka vështirësi, por kisha dashur në këtë projekt kaq madhor për paqen e sigurinë e tërë rajonit të jenë bashkë”, thekson kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Marketing