Ahmeti: Sot kur po shënojmë 11 Tetorin, bëj thirrje për paqe dhe dialog edhe në konfliktin në Izrael

Më rastin e Ditës së Kryengritjes Popullore – 11 Tetorit, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka bërë një përshkrim kronologjik mbi situatën aktuale të konfliktit në Izrael dhe krizave tashmë të tejkaluara në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Ahmeti shkruan se çdo luftë përfundon me marrëveshje për paqe, mirëpo ngjarjet e tilla janë prekëse kur shikon se sa persona të pafajshëm humbin jetën.

Statusi i plotë:

Në përpjekjet dekadëshe për liri dhe barazi, kërkonim luftën si mjet i fundit për ta arrirë synimin, që më në fund të zgjedhim paqen, dialogun, procesin demokratik.

Çdo luftë përfundon me marrëveshje për paqe, por pikënisjet e palëve në ato bisedime paqësore, jo gjithmonë janë të barabarta.

Terrori ndaj civilëve të pafajshëm, fëmijë, gra e pleq, të bën humbës që në fillim dhe pa asnjë mbështetje ndërkombëtare.

Ngjarjet, dhuna dhe terrori në Izrael janë për tu dënuar.

Sulmet nuk e ndihmojnë popullin palestinez, përkundrazi, bota e mbarë u rreshtua në anën e Izraelit.

Sot, kur në vendin tonë po shënojmë nismën e rezistencës dhe fitoren ndaj fashizmit dhe rreshtimin e drejtë me botën denokratike, bëj thirrje për paqe, dialog dhe ndërprim të menjëhershëm të dhunës e cila po sjell vetëm shkatërrim.