AI shqetëson BE-në: Samit urgjent për Inteligjencën Artificiale!

Zhvillimi i rrufeshëm i Inteligjencës Artificiale ka shqetësuar dhe ligjvënësit e BE-së, të cilët i kërkojnë liderëve botërore mbajtjen e një samiti urgjent, ku të diskutohen mënyrat sesi të mund të kontrollohen sisteme të tilla si ChatGPT, të cilat po marrin një hov më të shpejtë nga sa pritej.

Marketing

12 ligjvënës evropianë që punojnë për legjislacionin e BE-së lidhur me teknologjinë, i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen të organizojnë mbajtjen e takimit me theksin tek fakti që inteligjenca artificiale duhet të jetë më e përgjegjshme.

Vetëm pak javë më parë, një shqetësim të ngjashëm ngritën përmes një letre të hapur pronari i Twitter-it, Elon Musk, dhe mbi 1.000 ekspertë të teknologjisë, të cilët i mëshuan idesë së një pauzë gjashtëmujore të zhvillimit të sistemeve më të fuqishme si ChatGPT e krijuar nga OpenAI dhe e mbështetur nga Microsoft, që imiton njerëzit dhe krijon tekste dhe imazhe bazuar në kërkesa.

Ata paralajmëronin ndaj rrezikut që AI të përhapë dezinformata në një shkallë të paprecedent dhe makinat mund të “tejkalojnë në numër dhe mund të zëvendësojnë” njerëzit, nëse nuk kontrollohen.

Ligjvënësit europianë kanë një qëndrim më të zbutur, edhe pse bien dakord me mesazhin kryesor të letrës: me evolucionin e shpejtë të inteligjencës së fuqishme artificiale, dhe thonë se shohin nevojën për veprim politik. Aplikacionet e inteligjencës artificiale ngrenë shpesh shqetësime për etikën, ndërsa me përfshirjen e saj në shumë fusha profesionistët pyesin veten se si do të preket puna e tyre.