Autostrada Shkup – Kumanovë, iu rikthye normalizimit pas ndërprerjes së punimeve për shkak të aksidentit që ndodhi më 2 shtator ku humben jetën babë e bir nga Kumanova.
Edhe pse punimet janë kthyer dhe janë drejtë fundit, prokuroria akoma po vazhdon hetimet për të vërtetuar arsyet të cilat çuan deri te aksidenti. Sipas prokurorisë, edhe më tej vazhdon grumbullimi i provave për ngjarjen tragjike.
“Prokuroria Publike – Shkup, vepron sipas kërkesës së paraqitur dhe grumbullohen prova. Për momentin janë duke u dëgjuar persona të cilët kanë njohuri dhe persona tjerë. Pasi të sillet vendimi i prokurorisë publike opinioni do të njoftohet”, thonë nga Prokuroria Publike – Shkup.
Inspektorë rrugor nga Inspektorati Shtetëror i Transportit bënë inspektim të jashtëzakonshëm në punët ndërtimore të kryera nga kompania në autostradën ku ndodhi aksidenti. Pas kontrollit, u mor vendimi me të cilin kompania u detyruar që të ndërpret menjëherë të gjitha punimet ndërtimore deri në marrjen e miratimit nga organi kompetent.
Ndërkohë kompania u detyrua që të vendos dhe mirëmbajë sinjalistikën e përkohshme të trafikut që do të mundësojë qarkullimin e sigurt dhe të qetë në autostradë.
Menjëherë pas aksidentit Prokuroria themelore publike Shkup, inicioi procedurë kundër dy personave nën dyshimin se kanë kryer vepër penale, krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Për arsyet që çuan në humbje të jetës së babait dhe të birit të mitur nga Kumanove pritet që prokuroria të del me një përgjigje përfundimtare./ Alsat.mk