Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë urdhëresë për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi të dyshuar për – Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 të Kodit Penal.
I dyshuari 20-vjeçar, më 29 janar, si pjesëmarrës në komunikacion në rrugë publike në Bulevardin “Aradhat Partizane” drejtonte automjetin e pasagjerëve “Peugeot 207” në pronësi të babait të tij.
Mirëpo, ai nuk i ka respektuar rregullat dhe me këtë ka rrezikuar trafikun publik. Ai drejtonte veturën pa patentë shofer dhe nën efektin e alkoolit me përmbajtje alkooli 0.82 promile në urinë, duke rrezikuar kështu jetën e njerëzve. Kur ka ardhur në një vendkalim të shënuar për këmbësorë në kryqëzimin me rrugën 29 Nëntori, ai nuk e ka përshtatur shpejtësinë e mjetit me karakteristikat dhe gjendjen e rrugës dhe trafikut dhe kushteve të tjera të trafikut për të mundësuar ndalimin e mjetit në kohë përpara çdo pengese.
Para një vendkalimi për këmbësorë të rregulluar nga semaforët që kanë funksionuar në rregull në momentin e aksidentit, ai ka vazhduar lëvizjen përmes semaforit të kuq dhe me pjesën e përparme të majtë të mjetit ka goditur trupin e këmbësores viktimë Frosina Kulakova, e cila ka qenë duke kaluar rrugën në një vendkalim të shënuar për këmbësorë.
Nga përplasja Frosina ka pësuar lëndime të rënda dhe ka ndërruar jetë në vend.
Prokurori publik ka dorëzuar propozim te gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës paraburgim ndaj të dyshuarit, njofton Prokuroria.