Mediat serbe kanë raportuar se anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal kanë hyrë ‘me forcë’ në objektin e komunës së Zubin Potokut, të shoqëruar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës. Kjo sipas tyre ka bërë që të shpërthejë rebelimi nga disa qytetarë.
Po ashtu, është raportuar për disa shpërthime, ndërsa një granatë dore është gjetur brenda objektit.
Policia e Kosovës dhe EULEX ndodhen pranë zyrave të Kuvendeve Komunale Zgjedhore në Mitrovicë të Veriut.
Zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut është sulmuar nga persona të panjohur, mbrëmjen e së hënës së pesë dhjetorit.
Në komunikatën e Policisë thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit.
Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qëllim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente, dyshohet shkrepje armësh e shpërthime.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.