Një alarm për bombë është lëshuar sërish në Aeroportin e Prishtinës.
Policia e Kosovës me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se alarmi ka arritur në Zyrën e Mediave të Aeroportit të Prishtinës.
Me të marrë informatat, policia ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat, duke përfshirë evakuimin e personave në perimetrat e sigurisë dhe duke nisur me kontrollet.
Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:
Policia e Kosovës, me datën 16.06.2022 në orët e pasdites përmes zyrës së mediave të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një informacion për kërcënim me mjete shpërthyese në aeroport.
Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9).
Policia e Kosovës, po ashtu ka ndërmarr veprime konkrete duke evakuuar personat/qytetarët në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet tjera relevante.