Alaska Airlines ndalon fluturimin e avionëve Boeing 737 pas një incidenti

Kompania Alaska Airlines ka ndërprerë operimin e dhjetëra avionëve Boeing 737 MAX 9 për të kryer kontrolle të sigurisë, pasi një panel në kabinën e një avioni të ri me pasagjerë u dëmtua, duke detyruar fluturaken që të bëjë një ulje emergjente.

Marketing

Shefi i kompanisë, Ben Minicucci, përmes një deklarate tha se 65 avionë të ngjashëm do të kthehen në tokë për t’iu nënshtruar kontrolleve të sigurisë, që ai pret se do të përfundojnë “në ditët në vijim”.

Fluturimi 1282 i nisur për në Ontario të Kalifornisë, bëri një ulje emergjente në Portlend të Oregonit të premten, me 171 pasagjerë në bord dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, pas incidentit në bord.

Në mediat sociale janë publikuar pamje të maskave të oksigjenit të lëshuara në avion dhe një pjesë e murit anësor të fluturakes që mungonte.


Kompania Alaska Airlines tha se përderisa incidente të tilla janë të rralla, ekuipazhi i kompanisë është i trajnuar që në mënyrë të sigurt të menaxhojë situatën.

Bordi Kombëtar për Sigurinë në Transport në SHBA tha se ka nisur hetimet për këtë incident. Ndërkaq, Administrata Federale e Aviacionit tha se ekuipazhi i avionit kishte raportuar për probleme me presionin e ajrit dhe do ta hetojë këtë çështje.

Avioni i ri MAX 9 iu bashkua flotës së Alaska Airlines në fund të tetorit të vitit të kaluar dhe ishte certifikuar për fluturim në fillim të nëntorit, sipas të dhënave të Administratës Federale të Aviacionit.

Kompania Boeing tha se do të hetojë aterimin emergjent.

Marketing