Ballina Lajme Maqedoni Ali Ahmeti: Historikisht asnjë Front nuk ka humbur, më 8 maj rrethojmë...

Ali Ahmeti: Historikisht asnjë Front nuk ka humbur, më 8 maj rrethojmë numrin 4

Fronti Europian sot aktivitetet zgjedhore parlamentare i vazhdoi në komunën e Studeniçanit. Para simpatizantëve, kryetari i BDI Ali Ahmeti ka thënë se Fronti Europian është dhe do të mbetet një ortek i cili do të vërshoj gjithçka përpara deri në arritjen e synimit kryesor, anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Marketing

Ahmeti gjithashtu gjatë fjalimit të tij para banorëve të Studeniçanit ka komentuar edhe retorikën nacionaliste të përdorur ditëve të fundit nga partitë politike maqedonase duke thënë se ai fjalor nuk ka vend në një shoqëri të civilizuar që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Ahmeti autorët e skenarëve ogurzeza i ka quajtur “POLITIKANË QORRË” që ju nxjerrë buza akoma qumësht.

“Ne ofrojmë platformë të integrimit, palët që konkurrojnë përballë nesh ofrojnë platformë të izolimit! Me datë 8 Maj të gjitha klasat, të gjitha shtresat duhet të vendosin a do të mbështesin integrimin për ta thjeshtësuar dhe për ta kuptuar një treg prej 500 milion banorë apo izolimin, një treg prej 2 milion banorë, që do të bëjmë një treg prej Strumicës me patate dhe me domate do i vendosim në Kumanovë, nga Kumanova çfarë do të dërgojmë në Strumicë, asgjë. Ne jemi përpjekur që të bëjmë punë, punët janë të prekshme, unë nuk dua të hyjë tani e të shpjegoj të gjitha veprat kapitale që janë ndërtuar sepse ju vetë ato i prekni, i shihni duke filluar që nga universitetet, gjuha, simbolet kombëtare, përfaqësimi i drejt, por akoma edhe shumë punë kemi, ne na duhet siguria, ne na duhet paqja, neve na duhet stabilitet, neve na duhet ardhmëria. Në Europë, në kufijtë e Europës po bëhet luftë shumë e hatashme mes Rusisë dhe Ukrainës. Linda e afërt nuk është larg, ka enigmat e veta, ne duhet të jemi kontribuues në kuadër të Europës që të mos lejojmë hapësira për Rusinë, ndikimet ruse tek ne dhe në rajon që është një e vërtetë. Rusisë nuk i intereson paqja dhe stabilitet i Maqedonisë së Veriut pasi edhe ajo e din që Maqedonia e Veriut është një udhëkryq dhe në udhëkryq bëhen përplasjet.”

“Politikanët e rinj këtu në Maqedoni të Veriut duhet të mësojnë dhe të dëgjojnë me vëmendje që mos të nxisin komunitetet që të mos më ndodh mua, një plak më tha këtu: E pyeta si je? Më tha nuk jam shumë mirë se një helikopter po më sillet mbi kokë! Mos të nxisin ndasi mes komuniteteve. Unë njëherë u kam thënë, mos ma bëni ujin mullarë sepse po ma bëtë ujin mullarë nuk dihet se ku dalin punët. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm të gjitha palët, ky vend ka nevojë të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ky vend ka nevojë për paqe, stabilitet dhe siguri, ky vend ka nevojë të zbatohen marrëveshjet që nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit, ajo e Prespës dhe marrëveshja për fqinjësi të mirë. Ky vend ka nevojë që të gjithë unanimisht të votojmë Ligjin për Veting, të shohim pastërtinë, figurën e çdo politikani, të çdo funksionari. Unë kam thënë nga viti 2002 e deri më tani të hapet do hetim për mua në këtë fushë dhe të mos shërbehemi me shpifje që të fitojnë pushtetin. Askujt nuk i duhet pushteti as me shpifje e as me lajme të rrejshme, sepse për të drejtuar shtetin duhet të jesh burrështetas dhe jo sahanlëpirës, jo puthadorë por njerëz të denjë që mendojnë se si ta çojnë shoqërinë përpara.”

“Ne kemi nevojë dhe duhet të punojmë, ZERO problem me fqinjët, nuk kemi neve nevojë që të kemi problem me Bullgarinë, nuk kemi nevojë të kemi problem me Greqinë por ne kemi nevojë që Ballkani Perëndimor të jetë i pajtuar sepse në hasmëri të pafund dhe shekullore nuk jetohet. Kemi qenë dhe mbetemi kontribuues për paqen, për stabilitetin, për sigurinë, kemi qenë dhe mbetemi aleatë dhe partnerë me miqtë tanë strategjikë Amerikën, kemi qenë dhe jemi aleatë dhe partnerë për më shumë se një çerek shekulli me Bashkimin Europian dhe mbetemi të tillë të pandryshuar sepse ky vend vendin e ka në BE, e ardhmja është në Bashkimin Europian, ardhmja është bashkimi i shqiptarëve nën një platformë të fortë që i ngritë, i mobilizon, i begaton shqiptarët ashtu siç e kemi bërë neve Frontin tashmë të përbërë nga nëntë parti politike, duke i kyçur këtu edhe boshnjakët, edhe turqit, romët dhe kjo i “frikëson të qorrët politikan të ri që ju qet akoma buza tamël”.

“Ky front është afatgjatë dhe mos të frikësoj askënd sepse në këtë front vërtet ushtrohet demokracia e vërtetë, në këtë front është platforma që vendin do e qojë përpara. Me 24 Prill populli vendosi se kush e përfaqëson, nuk ka kush e kthen pas e as kush e mposht vullnetin e popullit, ato janë politika ditore dhe nuk ndihmon asgjë në atë drejtim. Është shumë e vërtetë, neve nuk na do as LSDM-ja e as VMRO-ja dhe është keq për ata, është shumë keq për ata! Ju kujtohet Zoran Zaevi kur doli para 4 viteve dhe thoshte: BDI në opozitë! A ju kujtohet, dhe duke qenë në koalicion me të, marre, turp! Më vonë vendosën në pozitë goxha të vështirë mediumet dhe më pyesnin: Çfarë të them unë, u thash i ka pirë dy gota raki dhe kur t’i del rakia do të ndryshoj mendimin. Ne jemi njerëz publik, fjala jonë dëgjohet prej qindra mijëra njerëzve, fjala jonë mund të bëjë keq por fjala jonë shëron dhe plagë. Të përpiqemi të gjithë të kontribuojmë në shërimin e plagëve, në punën tonë që vendin ta çojmë përpara në Bashkimin Europian”, ka deklaruar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Exit mobile version