Ali Ahmeti, lider i pakontestueshëm

Bashkimi Demokratik për Integrim sonte ka mbajtur mbledhje të kryesisë
qendrore me qëllim diskutimin mbi zhvillimet e fundit në ekzekutiv dhe
brenda në parti.

Marketing

Pas përfundimit të mbledhjes së sontme, nga BDI hedhin poshtë zërat për
përçarje brenda partiake, duke i cilësuar ato si konspiracion në
opinion.

Kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti me këtë rast ka thënë se takime të
këtij niveli gjatë muajve të fundit nuk janë zhvilluar si rezultat i
pandemisë COVID-19 dhe për këtë arsye ka pasur nevojë për debat e
diskutim, me ç’rast sonte u sqaruan të gjitha dilemat dhe nuk i është
lënë vend alibive të tjera.

“Nuk është çështje vendimesh, është një nevojë e kohës sepse vetë
epidemia e shkaktuar nga COVID 19 e ka bërë të veten. Qëllimi ka qenë që
opinioni të shoh drejtpërsëdrejti që Bashkimi Demokratik për Integrim
është dhe do të jetë unik edhe më mirë i organizuar. Janë biseduar të
gjitha çështjet, opinioni është i interesuar sepse ka pasur informacione
të ndryshme në mungesë të takimeve për shkak të pandemisë, por i siguroj
të gjithë se çdo gjë është sqaruar në këtë mbledhje. BDI është mirë e
organizuar, sepse të gjithë ne jemi unik. Janë tejkaluar të gjitha
dallimet mes nesh. BDI-ja është në binarët e duhur për të marrë
përgjegjësi të reja. Nuk është biseduar as për një dorëheqje, por vetëm
për përparime”, ka thënë kryetari Ahmeti pas përfundimit të mbledhjes së
kryesisë qendrore të BDI-së.

Ahmeti me këtë rast komentoi edhe lidhur me protestën e ditës së djeshme
për të cilën ka thënë se “hallexhinjtë po përdoren për qëllime politik”
dhe që BDI ka inkurajuar gjithmonë, ka kërkuar hetime ndërkombëtare për
këto raste dhe do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën.

“E mira është që të mos keqpërdoren hallexhinjtë, mos keqpërdoren
njerëzit në vështirësi. Ne kemi qenë gjithmonë në kontakte me njerëzit
që kanë pasur halle dhe jemi përpjekur t’i vëmë në kontakt me të gjitha
institucionet ndërkombëtare. Për të gjitha këto çështje kemi kërkuar
edhe ekspertizë ndërkombëtare, monitorim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar.
Kemi kërkuar për çështjen e protestave të djeshme një hetim ndërkombëtar
me ekspertë të huaj të fushës, ku ka ardhur një përgjigje pozitive nga
miqtë tanë amerikan, po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian. Po ashtu ka
edhe instanca më të larta ku mund të ankimohet kjo çështje dhe për sa na
përket ne, do të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë”, është shprehur kryetari
Ahmeti.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim pas përfundimit të mbledhjes së
kryesisë qendrore, gjithashtu bëjnë të ditur se sonte është biseduar për
parim, për strategji dhe për të gjitha detyrat dhe obligimet që i presin
si pjesëmarrës në qeveri.