Alioski nuk ishte sa duhet i mirë për klubin zviceran, tani do të luajë në Premier League

Shtatë vjet më parë, Ezgjan Alioski (28) nuk vlerësohej mjaftueshëm i mirë për klubin zviceran, Young Boys. Tani Alioski, që është pjesë e Maqedonisë së Veriut, do të luajë në Premier League.

Marketing

Alioski ishte pjesë e rëndësishme e Leeds Unitedit që siguroi promovimin në elitën angleze. Ai për trajner e ka Marcelo Bielsan, që vlerësohet nga njerëzit më interesantë në botën e futbollit.

Në një intervistë të gjatë për Blick, Alioski ka përshkruar rrugëtimin në karrierë.

“Festa për kthim në Premier League ishte e jashtëzakonshme. Nuk mund t’i ndalësh tifozët e Leedsit, ata ende po festojnë dhe me gjasë do të festojnë edhe pasi të luajmë ndeshjen e parë në Premier League”, ka thënë Alioski.

Ai e di se Leedsi dikur ishte klub shumë i madh evropian. Thotë se kjo skuadër ka tifozë në të gjithë botën. Ka treguar se në Australi është një urë e ngjyrosur me ngjyra të Leedsit.

Blicku ka shkruar se katër vjet e gjysmë më parë, Alioski luante për Schaffhausenin në kategorinë e dytë helvetike. Në moshën 21-vjeçare, ai ishte për dy muaj pa klub.

“Edhe unë kam menduar për këtë këto ditë. Është e jashtëzakonshme. Në atë kohë më ishte thënë në Young Boys se nuk isha mjaftueshëm i mirë për futboll profesional. Kjo ndodhi pasi luajta në Akademinë e Young Boysit për dhjetë vjet. Nuk kishte vend për mua më. Isha shumë i dëshpëruar dhe i mërzitur. Shumica do të vepronin ndryshe në një situatë të tillë, por unë nuk kam lejuar që të heq dorë nga ëndrrat”, ka thënë Alioski, që luan në krah.

Ai ka 33 ndeshje për Maqedoninë e Veriut. Ka shënuar pesë gola për përfaqësuesen me të cilën përballet Kosova më vonë këtë vit.

Te Leedsi, Alioski është prej vitit 2017. Më herët ka qenë te Lugano, Schaffhauseni dhe tek Young Boysi, në akademi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.

Marketing