Ashtu siç e kemi pohuar dhjetëra herë, problemi më i madh i qeverisjes së BDI-së është korrupsioni. Këtë dje na e përdëftoi edhe aleati dhe partneri ynë strategjik. Pas Holandës, edhe SHBA-ja i vendosi vulë BDI-së si parti me zyrtarë të korruptuar që ushtrojnë ndikim në gjyqësor. Ky është skandal i paparë deri më tash në skenën tonë politike.
Megjithatë, kjo për neve nuk është as risi e as befasi. Ramiz Merko është vetëm një fije në rrjetin e madh të merimangës së korrupsionit që për 20 vjetët e kaluara e ka krijuar BDI-ja. Natyrisht, është për t’u habitur se pse hesht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike. A kaq shumë vlen pushteti që ata njerëz duhet t’u nënshtrohen kushtëzimeve e zhvatjes së çiftit Ahmeti-Grubi?
Ndalimi për të hyrë në SHBA për zyrtarin e lartë të BDI-së nga Struga, aktualisht kryetar i Komunës së Strugës, kjo për shkak të korrupsionit dhe përzierjes në gjyqësor, për ne është edhe një dëshmi më shumë se pse duhet të insistojmë e të këmbëngulim që të pranohet propozim-amendamenti ynë për sanksionim kushtetues që lëndët e korrupsionit të mos mund të vjetrohen kurrë. Ky skandal e shpjegon edhe arsyen se pse BDI-ja e LSDM-ja refuzojnë ta pranojnë këtë amendament.
Me këtë rast dorëheqja e këtij njeriu nga detyra e kryetarit të Strugës është nderi i fundit që ai mund t’ua bëjë struganëve, por shtrohet pyetja se cili është qëndrimi, përkitazi me këtë vendim të SHBA-së, i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, që është bedel i Ramiz Merkos në qeveri, dhe i vetë shefit të tyre, Ali Ahmeti?
Sidoqoftë, ne presim që Prokuroria Publike dhe MPB-ja të marrin masa, ndërsa BDI-ja të japë llogari se deri kur e ka ndër mend të qeverisë me korrupsion e abuzim me drejtësinë dhe këtë ta shesë me nota patriotike.