Ambasadori shqiptar në OKB – diplomatit rus: Ramush Haradinajn mos e zini në gojë, ai u shpall dy herë i pafajshëm

Në seancën e sotme në Këshillin e Sigurimit për institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe mekanizmit të gjykatave kundër krimeve të luftës, ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha, solli shembullin e luftërave në ish-Jugosllavi si shembull i nevojës për institucione që ndëshkojnë kriminelët e luftës.

Marketing

Ai bëri thirrje që puna e drejtësisë të vazhdojë dhe të mos ketë afate skadimi, por nënvizoi edhe një pikë tjetër.

Veprimi i drejtësisë ndaj krimeve të luftës nuk do të ketë sukses, nëse vazhdohet me glorifikimin e kriminelëve, kur udhëheqës politikë përpiqen të manipulojnë historinë dhe të pretendojnë se krimet madhore në vende si Vukovar, Srebrenicë, Reçak etj nuk kanë ndodhur.

Në fund, duke iu përgjigjur aludimeve nga pala ruse për përfshirje të Shqipërisë dhe shqiptarëve në krime lufte, ai tha se kjo ishte një “ovërdozë e një fantazie të sëmurë”.

Kjo që dëgjuat për vendin tim”, tha Ambasadori Hoxha, “ka po aq besueshmëri sa ato që dëgjuat po nga ky delegacion se si ‘në Ukrainë nuk ka luftë’ apo se ‘ukrainasit po vrasin veten’”.

Ai i tha delegacionit rus që të mos e zinte në gojë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Hardinajn sepse ai u gjykua dy herë tashmë dhe të dy herët është shpallur i pafajshëm.

“Ai nuk u fsheh, nuk u arratis, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, dhe iu dorëzua vetë drejtësisë, u përball me faktet, fitoi dhe tani është i lirë.”

“A do ta bëjnë të njëjtën gjë, ushtarët dhe politikanët rusë të akuzuar për krimin e agresionit dhe krime të tjerë serioze?”, tha Ambasadori Ferit Hoxha.

Mesiguri akuzat ruse kishin të bënin me tymnajën për “shtëpinë e verdhë” në Shqipëri dhe të tjera maskarada të përfshira në raportin famëkeq të Dick Marty-t.

Gjykata për Krimet e Luftës në Jugosllavi ka kryer hetime të gjera në Shqipëri, tha ambasadori.

“Hetime në mënyrë të lirë, të hapur dhe nuk gjeti asgjë. As atëhere, as më vonë, e asnjëherë, për arsyen e thjeshtë se ato akuza ishin pa asnjë bazë”, tha ai.