Ambasadorja amerikane thirrje liderëve që të gjejnë kompromis për Ligjin për Prokurorinë

Ambasadorja amerikane Kejt Bërnz iu bëri thirrje liderëve partiakë që të gjejnë kompromis për Ligjin për Prokurorinë Publike dhe të mundësojnë që të miratohet para shpërndarjes së Kuvendit.

Marketing

“Miratimi i ligjit të ri për PP-në do ta avancojë sundimin e së drejtës, transparencën dhe përgjegjësinë. E theksojmë edhe rëndësinë e rasteve të PSP-së që të vazhdojnë të procedohen në mënyrë të besueshme në Prokurorinë Publike. Besojmë se këto janë vendimet e vërteta që të krijohet besim te qytetarët dhe të konfirmohet se individë të cilët kryejnë funksione të larta do të bartin përgjegjësinë për çfarëdo lloj keqpërdorimesh. Ky është sinjal i rëndësishëm. Vetë ligji është kyç jo vetëm si sinjal për BE-në, por edhe për të ardhmen e vendit. Apelojmë deri te të gjithë liderët e partive politike të ulen bashkë, t’i tejkalojnë dallimet, t’i lënë mënjanë pozicionet e tyre partiake dhe të punojnë për këtë ligj, ta miratojnë, është e dëshirueshme, para shpërbërjes së Kuvendit, që vendi të vazhdojë në rrugën e tij”, deklaroi Bërnz në një intervistë për televizionin “Sitel”.

Me këtë, thotë ambasadorja e SHBA-së, do të dërgohet sinjal pozitiv deri te anëtaret e BE-së në kontekst të vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Bërnz pret që së shpejti të përfundojë ratifikimi i protokollit për anëtarësim në NATO në Spanjë dhe vendi shumë shpejtë të bëhet anëtare e plotfuqishme e Aleancës.

Për pritjet në lidhje me perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ajo thekson se BE-ja shumë herë ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor është qëllimi i saj strategjik, ndërsa e njëjta vlen edhe për SHBA-në.

“Ne ishim të dëshpëruar thellë që në tetor nuk ishte sjellë vendim për fillimin e negociatave për anëtarësim. Në javët e kaluara pamë deklarata pozitive të liderëve të BE-së edhe nga Brukseli dhe shpresojmë se javët dhe muajt e ardhshëm, në mars, do të ketë sinjal shumë pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe ftesë për negociata me BE-në”, deklaroi ambasadorja e SHBA-së.

Por, ka punë, thotë Bërnz, të cilat duhet t’i bëjë edhe Maqedonia e Veriut dhe të dërgojë sinjal pozitiv në BE, siç janjë vazhdimi i reformave, zbatimi i zgjedhjeve korrekte, ruajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët, lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i ambientit ekonomik për tërheqjen e investimeve dhe veçanërisht miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, Bërnz pret ato të jenë korrekte dhe demokratike ndërsa pas përfundimit të tyre të ketë tranzicion të papengueshëm drejt qeverisë së re e cila do të mbetet e përkushtuar në zbatimin e reformave dhe rrugës euroatlantike.

Apelon liderët partiakë dhe politikanët të fokusohen tek problemet, ndërsa jo në sulme personale dhe të mundësojnë hapësirë për debatin demokratik. SHBA-ja së bashku me partnerët e tyre ndërkombëtarë me kujdes do ta ndjekin zbatimin e zgjedhjeve.

Për paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së për rishikimin e mundshëm të Marrëveshjes së Prespës nëse fitojnë shumicë prej dy të tretash në zgjedhje, ambasadorja amerikane vlerëson se kjo çështje shkakton brengosje reale dhe qytetarët nuk duhet të habiten se çfarë rrezikohet në këtë proces.

“Nuk duhet harruar se marrëdhëniet e mira fqinje janë parakusht për anëtarësimin në NATO dhe në BE. Ne e dimë se Prespa ishte kompromis, pati negociata të vështira të cilat nënkuptuan lëshime nga të dyja palët. Por, ajo që është arritur me Marrëveshjen e Prespës është që përfundimisht u zhbllokua rruga për Maqedoninë e Veriut për t’u bërë aleate e NATO-s dhe ta vazhdojë rrugën drejt BE-së. Akoma më e rëndësishme i ndihmoi vendit të shkojë përpara nga pozita e stagnimit në planin politik dhe ekonomik. Është shumë e rëndësishme të merret parasysh se jo vetëm që BE-ja e njeh rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira të vendit, progresin e saj ekonomik, vendet e punës, tregtinë, investimet e huaja. Është shumë e rëndësishme që të mos rrezikohet ky transformim i jashtëzakonshëm që po ndodhë. Këto arritje nuk duhet të rrezikohen dhe kjo duhet kuptuar shumë seriozisht”, deklaroi ambasadorja e SHBA-së, Kejt Bërnz.

Marketing