Ansambli “Shota”, ka përsëritur suksesin e vitit 2013, kur po ashtu kishte fituar çmimin e dytë në këtë festival, por tani në një konkurrencë dukshëm më të fortë, duke marrë parasysh që në edicionin jubilar- të 20-të të këtij festivali, këtë çmim e ka marrë në garën ku kanë konkurruar 28 shtete nga mbarë bota.
Marrë parasysh se Ansambli ka udhëtuar në Turqi, me disa mungesa në orkestër dhe grupin e valltarëve, ky është sukses shumë i madh, edhe për faktin që në këtë festival kanë garuar shtete me ansamble shumë serioze nga Rusia, Gjeorgjia, Ukraina, Bullgaria, Spanja, Serbia, Kroacia, Hungaria, Panamaja, India etj. Vendin e parë dhe çmimin “Ura e Artë” e Mimar Sinanit e kanë ndarë dy ansamble nga Rusia dhe Hungaria ndërkaq vendin e tretë e ka fituar ansambli nga Gjeorgjia. Krahas pllaketës së argjendtë, për vendin e dytë Ansambli ka marrë edhe shpërblim material në vlerë prej 2000 dollarësh Amerikan.
Festivali i Folklorit dhe Arteve në Buyukçekmece, i cili organizohet nën patronatin e dy organizatave më të mëdha të folklorit në botë: CIOFF dhe FIDAF, dhe kryetarit të komunës së Buyukçekmeces, Dr. Hasan Akgun. Ky festival shtatë (7) herë është shpallur festivali më i mirë i folklorit në botë. Se sa i rëndësishëm është ky festival tregon fakti se në të, krahas garës së folklorit, janë organizuar edhe tri gara tjera paralele: Gara e fotografisë artistike, gara e vallëzimit kontemporan dhe gara e skulpturës prej druri.
Gjithsej shtete pjesëmarrëse, në të gjitha garat, ishin 71 vende nga mbarë globi. Festivali është mbajtur nga data 26 Korrik deri me 3 Gusht. Moto-ja e këtij edicioni ishte: “Dashuri për njëri-tjetrin, paqe për të gjithë” (Love foreach-other, peace for all). Se çfarë rëndësie i kushton organizatori këtij festivale dëshmojnë shumë fakte:
Marketingu i jashtëzakonshëm, jo vetëm në qytetin ku ai zhvillohet, por edhe në Stamboll dhe qytete tjera të Turqisë. Në hapje të festivalit kanë marrë pjesë shumë deputetë të parlamentit turk dhe kryetarët e 5 komunave më të rëndësishme të Turqisë, në mesin e të cilëve edhe Ekrem Imamogllu, kryetar i porsazgjedhur i Stambollit. Pastaj të gjitha aktivitetet e festivalit, janë transmetuar drejtpërdrejtë në kanale të ndryshme televizive të Turqisë.
Krahas pjesëmarrjes në garë të folklorit, Ansambli “Shota” është nderuar edhe me praninë në disa aktivitete sociale, në njërin nga të cilët (Inaugurimi i një linje detare nëpër Bosfor), me kërkesë të kryetarit të komunës, Akgun, “Shota” ishte ansambli i vetëm pjesëmarrës, i ftuar për performancë.