Arrestohet personi që njoftoi Policinë për gjetjen e 4 të miturve pa ndjenja në shtëpinë e tij – Këto janë detajet

Policia ka arrestuar 40-vjeçarin në shtëpinë e të cilit u gjetën 4 persona të moshës nën 18 vjeç pa ndjenja dhe me lëndime trupore, shkruan Alsat.

Marketing

Personi me inicialet D.GJ në cilësinë e të dëmtuarit dhe njëkohësisht pronarit të shtëpisë është paraqitur në stacionin policor me denoncimin se është sulmuar nga një person i mitur, por pas ndërhyrjes së policisë dhe dërgimit të katër të miturve në Klinikën e Toksikologjisë denoncuesi ka përfunduar në pranga.

Motivet për këtë, as policia dhe as Prokuroria Publike nuk i bën të ditura derisa hetimi është në rrjedhë e sipër.

“Pas denoncimit policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Aty ka gjetur katër persona minoren. Dy prej tyre kanë qenë pa ndjenja dhe kishin konsumuar alkool dhe substanca psikotrope. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dëshmi të lëndëve të konsumuara. Do të bëhet ekspertizë plotësuese për përmbajtjen e tyre”, tha Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së për Alsat.

Nga Klinika e Toksikologjisë kanë njoftuar se gjendja e të miturve është stabile dhe po vazhdojnë t’i nënshtrohen trajtimeve mjekësore.

Për dallim nga policia, reparti i Toksikologjisë njoftoi se pasqyra e gjakut tek katër pacientët ka rezultuar vetëm me përdorim të lëndëve psikotrope dhe jo prezencë alkooli.

Minorenët e moshave 14-17, dy djem dhe dy vajza u gjetën në shtëpinë e 40 vjeçarit falë denoncimit që dyshohet të ketë ardhur nga pronari i shtëpisë i cili i ka thënë policisë se është sulmuar, por organet e rendit në trupat e dy të miturve kanë gjetur shenja dhune, të cilat duhet vërtetuar nga hetimi i organit të akuzës.

Kjo ka bërë që denoncuesi në cilësinë e pronarit të shtëpisë të përfundojë në pranga, por ky nuk mbetet motivi i vetëm i arrestimit. Hetimi i organit të akuzës duhet të vërtetojë përgjegjësin e 40-vjeçarit në raport me 4 të miturit dhe ngjarjen e regjistruar në shtëpinë e tij. / Alsat.mk

Marketing