Ballina Lajme Maqedoni Asani: Rreth drejtshkrimit të përbashkuar!

Asani: Rreth drejtshkrimit të përbashkuar!

Më lejoni t’ju dëshiroj mirëseardhje në hapjen e konferencës
mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë” dhe ekspozitës “Nga
alfabeti në drejtshkrim”. Jam shumë i nderuar që ky aktivitet shkencor
mbarëkombëtar po shpaloset në Shkup dhe në Institutin e Trashëgimisë
Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Zaten punët e mbara nisen nga
Shkupi. Kështu ka qenë që nga viti 1912-të.

Marketing

Të nderuar, duke qenë në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të
Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ne lidhëm memorandum bashkëpunimi me
Akademinë e Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutin
Albanologjik të Prishtinës, që këtë jubile të madh të gjuhës e të
kombit tonë ta shënojmë bashkërisht dhe kështu të dalim përtej kufijve
politikë, duke ndërtuar ura kulturore e shkencore, ashtu siç kemi
vepruar edhe para 50 vjetëve me vendosjen e gjuhës standarde.
Rrjedhimisht, konferenca e sotme është fryt i këtij bashkëpunimi. Ne
jemi marrë vesh që konferenca ta ketë temën e njëjtë dhe ajo të jetë e
ndarë në tri sesione, madje – përveç kësaj – në secilin sesion të kemi
nga dy pjesëmarrës të ndryshëm nga institucionet përkatëse të Tiranës.
Prandaj, unë sot jam i nderuar që në mesin tonë, sot në Shkup e nesër
në Prishtinë, e kemi një profesor nga Tirana që vetë ka qenë
pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit, duke kumtuar pikërisht për
gjuhën standarde.

Derisa flasim për pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit, dua të
theksoj se edhe intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në atë
kohë nuk kishin asnjë dilemë rreth këtij përcaktimi. Pjesëmarrja e
prof. Remzi Nesimit, që kishte kumtesë dhe ishte nënshkrues i
Rezolutës së Kongresit, si edhe e prof. Petro Janurës dhe prof.
Sejfedin Sulejmanit, ishte dëshmi se në cilën anë do të ishin
shqiptarët në gjysmëshekullin që vijonte.

E kur jemi te gjuha standarde, do të më lejoni të flas si historian.
Atë që nuk e përmbushi Lidhja e Prizrenit, respektivisht Shoqëria e
Shtypuri Shkronja Shqip, atë që nuk e mbylli as Kongresi i Manastirit
me temën e alfabetit, e bëri pikërisht Kongresi i Drejtshkrimit me
unifikimin e gjuhës standarde, që më shumë se zgjidhje e një problemi
gjuhësor, ishte zgjidhje e një problemi historik.  Një komb i ndarë në
baza fetare, krahinore, por edhe politike, të cilit historia ia ka
fragmentuar edhe gjeografinë, më në fund e gjeti elementin që do ta
lidhte dhe do ta njësonte. Gjuha standarde shqipe, me Kongresin e
Drejtshkrimit, u bë mjeti që i lidh dhe bashkon shqiptarët, duke ua
rrafshuar të gjitha dallimet. Pas këtij kongresi u bë relative se a je
shqiptar në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Preshevë, në Ulqin ose
në mërgatë, ngase tashmë ishte krijuar indi lidhor i kombit dhe kjo do
ta tipizonte secilin shqiptar kudo që të jetë ai. Prandaj, shikuar në
këtë kontekst, Kongresi i Drejtshkrimit bëhet mbase pika më e
rëndësishme e ndërtimit të kombit tonë.

Duke qëndruar te tema e alfabetit dhe drejtshkrimit, dua ta falënderoj
edhe drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë,
z. Ardit Bido, që këtë ngjarje e ka begatuar duke e sjellë te ne edhe
ekspozitën dokumentare “Nga alfabeti në drejtshkrim”, që e freskon
kujtesën tonë për rrugëtimin e gjuhës sonë nga gjendja e shkronjave në
gjendjen e shkrimit të njësuar.

Të nderuar të pranishëm, duke qenë në ditën e fundit të manifestimit
kulturor-shkencor “Ditët e alfabetit”, që sivjet e ka shënuar
edicionin e katërt, dua t’ju them se këto ditë, që tashmë janë
tradicionale të albanologjisë te ne, ndërsa janë emërtuar me emrin e
alfabetit dhe janë vendosur në ditët kur është mbajtur Kongresi i
Manastirit, këtë vit u janë kushtuar albanologëve gjermanë, që kanë
dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për avancimin e gjuhësisë sonë.
Hahni, Jokli, Majeri, Lamberci, por jo vetëm ata, gjatë këtyre ditëve,
ishin në fokus të shumë studiuesve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës
dhe Shqipërisë, të cilët me kumtesat e tyre sollën jo vetëm
informacione të rëndësishme, por edhe studime të thelluara që do të
jenë burime reference për studimet albanologjike.

E dukë qenë në ditën kur edhe zyrtarisht shënohet Kongresi i
Alfabetit, që është një festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut, do të
më lejoni që prej këtu t’ua uroj të gjithë shqiptarëve këtë festë dhe
të uroj që kjo kremte dhe ky kongres të jenë udhërrëfyes të angazhimit
të përditshëm shkencor e kulturor. Nëse do të isha subjektiv, do të
thosha që shqiptarët e vetëm që këtë festë e kanë të sanksionuar me
ligj jemi pikërisht ne dhe kjo na bën të ndjehemi mirë dhe të mburremi
që festa jonë është e lidhur ngushtë me shkrimin, me dijen dhe me
librin.

Para se të përfundoj, dua të theksoj edhe në gjë. Kjo datë, ky
përvjetor dhe kjo ditë është e lidhur pandashëm edhe me një jubile që
për ne është jo më pak i rëndësishëm. Sivjet bëhen 15 vjet që nga
themelimi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të
Shqiptarëve, që – pa ekzagjeruar – do të thosha se i ka dhënë trajtë
tjetër identitetit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së
Veriut. Janë rreth 40 konferenca shkencore, disa qindra botime dhe
shumë hulumtime shkencore që i kanë bërë shqiptarët e këtij vendi të
respektuar jo vetëm para fqinjëve tanë vendorë dhe miqve të huaj, por
edhe për bashkëkombësit tanë në rajon. Prandaj, do të më lejoni që
kolegëve të mi dhe gjithë atyre që kanë kontribuar në krijimin dhe sot
ndihmojnë në zhvillimin e këtij instituti, t’ua uroj këtë përvjetor
jubilar, me shpresë se ne e kemi arsyetuar punën tonë dhe të bindur se
historia për ne do të rezervojë një vend modest në faqen e
kontributeve për avancimin e kombit.

Po e përfundoj fjalën time duke ju falënderuar edhe një herë që jeni
sot këtu, sepse megjithatë Institutin nuk e përbëjnë objekti dhe
librat, por njerëzit dhe veprat e tyre.

Ju faleminderit!

Skender Asani, drejtor

Marketing
Exit mobile version