ASH-AAA: “Taksa ekologjike” do të rëndojë gjendjen ekonomike të qytetarëve

Në kohë krize kur qytetarët ende ndjejnë pasojat e rënda të pandemisë, Qeveria vendosi t’ua rëndojë edhe më shumë gjendjen ekonomike përmes vendosjes së të ashtuquajturës taksë ekologjike. Vendimi për të shtrenjtuar derivatet e naftës për 3.5% denarë për litër është vetëm një keqpërdorim i ekologjisë për të mbuluar paaftësinë e Qeverisë aktuale në menaxhimin e buxhetit dhe pasojave të krizës, në kurriz të qytetarëve dhe afaristëve. Më së shumti nga ky vendim do të pësojnë transportuesit. Deklaratat e Kryeministrit Zoran Zaev se kjo taksë ka për qëllim nxitjen e përdorimit të trotinetëve dhe mjeteve ekologjike janë qesharake. Çfarë duhet të bëjnë transportuesit sipas kreut të Qeverisë dhe ministrit të financave Fatmir Besimi? Të bëjnë transportin e mallrave me trotinet elektrik, apo të investojnë miliona euro për të blerë maune elektrike? Qeveria nuk ka dhënë përgjigje sesi do të shpenzohen rreth 100 milionë euro që përmes taksës ekologjike do të merren nga qytetarët, në cilat projekte ekologjike do të dedikohen? Apo, edhe këto para do të përfundojnë siç përfunduan paratë e tjera në shumë afera korruptive e kriminale? Ekologjia nuk mund të mbrohet duke u vendosur taksa qytetarëve dhe afaristëve, e nga ana tjetër duke importuar mazut të dëmshëm për jetën e vetë qytetarëve. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se ambientin jetësor nuk e ndotin qytetarët, por ndotësi dhe shkatërruesi më i madh është Qeveria LSDM-BDI dhe bizneset e tyre të dyshimta.

Marketing
Marketing