ASH: Agjencioni i ushqimit dhe veterinarisë diskriminues ndaj shqiptarëve

Departamenti i Bujqësisë pranë Aleancës për Shqiptarët reagoi lidhur me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, pasi që në këtë institucion po ndodhë diskriminimi i shqiptarëve.

Marketing

“Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë nga themelimi i sajë është duke u bërë diskriminim i vazhdueshëm ndaj shqiptarëve, në vitin që u bë bashkimi i dy drejtorive Agjencia kishte mbi 15% kuadro shqiptarë. Ndërsa tani ky institucion ka më pak se 13% kuadro shqiptarë vetëm si përqindje, sepse në poste udhëheqëse nuk ka asnjë shqiptar si rrjedhojë e punësimeve sistematike partiake duke i anashkaluar shqiptarët”, reagon ASH. Më tej pasqyrohet se në hierarkinë udhëheqëse sipas organogramit të këtij institucioni, mund të shihet mospërfillja e shqiptarëve sipas radhës:

– Drejtor Maqedonas nga themelimi deri më sot,
– Zëvendësdrejtor jo shqiptar që kurë ekziston si institucion,
– Katër (4) këshilltarë shtetëror, asnjë shqiptar,
– Nëntë (9) Udhëheqës sektori asnjë shqiptar,
– Nga tridhjeteshtatë (37) njësi, vetëm një shqiptar edhe atë i emëruar para formimit të Agjencisë,
– Inspektorë rajonal në Qytetin e Shkupit asnjë Shqiptar,
– Në vendkalimet kufitare ku bëhet kontrolli i Ushqimit numri i inspektorëve kufitar i papërfillshëm.”, nënvizon ASH.

“Padrejtësia, mospërfillja, anashkalimi i shqiptarëve vazhdon nga të ashtuquajturit reformistët. Mos përfaqësimi i denjë i nëpunësve shqiptarë në hierarkinë institucionale shkon duke u përkeqësuar. Sistematikisht janë hapur konkurse të brendshme për avancim ku kandidatët shqiptarë nuk përfillen pa marrë parasysh përqindjen etnike deklarative që duhet të plotësohet sipas marrëveshjes së Ohrit. Dy vitet e fundit në qendrën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë si rezultat i demotivimit dhe anashkalimit janë larguar edhe ai numër i vogël i kuadrove Shqiptarë nga diskriminimi i vazhdueshëm që ndodhë në atë institucion që është shumë i rëndësishëm për përditshmërinë e njerëzve sepse ka të bëjë me sigurinë e ushqimit, shëndetin publik veterinar dhe rrjedhimisht është një institucion që në mënyrë preventive merret me ruajtjen e shëndetit publik të popullsisë”, theksoi ASH.

Agjencia е Ushqimit dhe Veterinarisë është formuar si institucion në vitin 2011 dhe i jep përgjegjësi drejtpërdrejtë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore, është formuar si institucion nga bashkimi i dy drejtorive: Drejtoria Ushqimit që ka qenë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtoria e Veterinarisë që ka qenë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Marketing