ASH në opozitë nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese? Ganiu: Jemi të hapur për të mirëpritur ASH-në

Nëse nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese Aleanca për Shqiptarët mund të tërhiqet nga qeveria. Këtë e ka deklaruar lideri i ASH-së, Arben Taravari në ClickPlus në TV21, duke shtuar se shpresat për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, janë gjithnjë dhe më të vogla.

Marketing

“Deri në atë moment kur të gjithë do të dorëzohen që nuk do të bëhen ndryshimet kushtetuese, ne e kemi për obligim si parti, e kam thënë këtë publikisht, që ta mbledhim Kuvendin e partisë, të ulemi dhe të bisedojmë. A vazhdojmë, a dalim prej qeverie, e marrim këtë anë apo e marrim atë anë. Të gjitha opsionet duhet të jenë të hapura”, tha Arben Taravari – kryetar i ASH-së.

Nëse ASh del në opozitë, a mund të bëhet pjesë e bllokut opozitar shqiptar? Nga Lëvizja Europiane për Ndryshim shprehen të gatshëm që të mirëpresin partinë e Taravarit.

“Normal që ka vend, ne jemi të hapur për të gjithë dhe ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që ky front opozitar ka vend për secilin, i cili mendon njëjtë si ne dhe dëshiron të ketë ndryshime në Maqedoninë e Veriut”, pohoi Visar Ganiu, LEN.

Përndryshe Taravari ka thënë se në komunikimin që ka me anëtarësinë e partisë, shumica kërkojnë që kjo parti në zgjedhjet e ardhshme të garojë e vetme, ndërsa opsioni i dytë është që të mbështesin idenë për bashkëpunim me bllokun opozitar shqiptar, ndërsa më së paku duan bashkëpunim me BDI-në.