Austria i kërkon Kosovës progres të shpejtë në dialogun me Serbinë

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, ka takuar gjatë ditës së sotme homologen e tij nga Kosova, Donika Gërvalla-Schwarz.

Marketing

Siç njofton MPJ-ja austriake, veç forcimit të marrëdhënieve veçse të shkëlqyeshme mes dy vendeve, në takim është folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për situatën politike në pjesën veriore të Kosovës.

“Kosova ka qenë tradicionalisht partner i afërt i Austrisë në Ballkanin Perëndimor. Dhe me partnerët mund të flasësh hapur, dhe kështu edhe bëmë. Mesazhi im ndaj homologes sime ishte i qartë: nevojitet progres i shpejtë në dialogun Kosovë-Serbi, që është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë fqinje. Por kjo kërkon përkushtim konstruktiv, të dy palët duhet të lëvizin”, ka thënë Schallenberg, raporton Klankosova.tv.

Raportet bilaterale ishin po ashtu temë e diskutimit në Ministrinë e Jashtme austriake, teksa u theksua se Austria ishte një prej vendeve të para anëtare të BE-së që ka njohur Kosovën.

Veç raporteve të mira politike, Kosova dhe Austria kanë raporte të mira edhe ekonomikisht.

“Austria është një prej top-5 investitorëve. Veç kësaj, Kosova është vend me prioritet i Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim. Kosova aktualisht po kërkon anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e cila në përgjithësi mbështetet nga Austria”, u tha në njoftimin e MPJ-së austriake. /Klankosova.tv