Autostrada Shkup-Tetovë shndërrohet në treg të improvizuar

Tejkalimi i afateve për përfundimin e projektit për modernizimin e tregut të Bit Pazarit, shtyn shitësit ambulant që arkat me fruta të dalin t’i shesin në autostradë.
Arkat me prodhimet frutore shitësit i vendosin madje edhe çdo 4-5 metra në korsinë e tretë e cila shërben për ndalesa emergjente, në rastin konkret në autostradën Shkup-Tetovë.
Ata janë të vetëdijshëm se ky aktivitet i tyre është kundërvajtje, madje thonë se shpeshherë u shqiptohen gjoba deri edhe në 300 euro.

Marketing

Megjithatë, të revoltuar shtojnë se me këto shitje nxjerrin bukën e gojës “ ose të shesim këtu, ose prodhimet tona t’i lëmë të kalben në ara, sepse shteti nuk na ka siguruar treg ku t’i plasojmë ato” thotë njëri prej tyre.
“Na shqiptojnë dënime, madje edhe deri në 300 euro. Ne i sjellim me vetura, mandej i vendosim këtu. Me vetura i sjellim. Dalim këtu nja një muaj që i mbledhim prodhimet edhe aq”

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se i kanë shtuar kontrollet dhe se janë shqiptuar edhe gjoba për kundërvajtje, por siç shihet nga pamjet duket se këto gjoba nuk kanë pasur efektin që pritej.

Disa nga shitësit ambulant kalojnë herë nga njëra anë e herë nga tjetra edhe pse aty pranë nuk ka as urë dhe as nënkalim. Me veturat që voziten me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë, ata rrezikojnë veten, por edhe të bëhen shkaktarë të ndonjë aksidenti në komunikacion.

Shitësit pohojnë se janë të gatshëm të paguajnë tezga në tregun në Bit Pazar, por thonë se aty nuk ka vend.
Nga ana tjetër janë shkelur të gjitha afatet për finalizimin e punimeve për tregun modern të Bit Pazarit.

Projekti i ndërtimit të Bit Pazarit parashikon mbulim të plotë të tregut , vendosjen e 1000 tendave të reja, restaurim të plotë të infrastrukturës ujësjellësit dhe kanalizimit, sigurim të një sipërfaqeje parkimi me një kapacitet prej 230 automjeteve dhe ndërtimin e ambienteve të reja të biznesit me një sipërfaqe prej 600 metrash katror, shkruan Alsat.