Bahtiri dorëzoi në Kuvend peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri sot ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës peticionin me 16.594 nënshkrime për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Marketing

Bahtiri gjatë dorëzimit të peticionit tek kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi që në emër të qytetarëve të Mitrovicës të procedohet ky peticion dhe të merret një vendim i drejtë.

Ai u shpreh se ka bërë shumë përpjekje me ish kryetarin e komunës së veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq që të ketë një bashkëjetesë të mirë mes qytetarëve serb dhe shqiptarë, mirëpo sipas tij nuk e ka pas këtë mbështetje.

“Plot vullnet, dëshirë e përkushtim të veçantë për t’i çuar proceset përpara kam dashur që bashkë me ish kryetarin Rakiq, për t’i bashkuar qytetarët pavarësisht cilës kombësi i takojnë nuk kemi mundur të gjejmë një gjuhë të përbashkët. E dini që 15.000 qytetarë ende jetojnë si refugjatë në qytetin e vet. Edhe pas gjithë përpjekjeve që kam bërë, ish kryetari nuk ka dashur që të na ndihmoj pasi ai nuk e ka pas kokën në Prishtinë, por në Beograd. Këtë peticion nuk e kemi bërë nga qejfi por nga zori, për t’i kthyer qytetarët nëpër shtëpitë e tyre”, ka thënë Bahtiri duke kërkuar nga Veseli që këtë peticion ta dorëzojnë për ta bërë një qytet për të gjithë.

“Këtu ka peticione dhe nga serbët dhe ju lutem vëllazërisht që këtë ta dorëzoni për ta bërë një qytet për të gjithë qytetarët”.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e mirëpriti një peticion nga kryetari Bahtiri duke thënë se një peticion i tillë nuk është befasi pasi qytetarët e Mitrovicës, pasi ata janë përballur me peripeci të ndryshme.

Veseli tha se qytetarët serb janë qytetarë të Kosovës dhe Mitrovica është qytet i mitrovicasve.

“Është një peticion që duhet të dorëzohet. Kjo nuk është befasi, pasi qytetarët e Mitrovicës janë duke u ballafaquar me peripeci. Kemi shumë njerëz që kërkojnë të mbrohen të drejtat e tyre. Qytetarët serb janë qytetarë të Kosovës dhe Mitrovica është qytet i mitrovicasve”, ka thënë ai.

Veseli po ashtu shtoi se grupet e interesit që nuk janë mitrovicas mos të manipulojnë politikisht me atë pjesë.

“Grupet që nuk kanë interes për Mitrovicën mos të manipulojnë politikisht me atë pjesë të Republikës së Kosovës me vet faktin që asaj pjese i duhet më shumë paqe dhe prosperitet. Ky peticion do të shkoj në Komisionin përkatës dhe do të marrim vendim që është në interes të Kosovës. Kosova është shtet i Pavarur dhe Sovran”, theksoi Veseli.

Ndryshe, Kuvendi Komunal i Mitrovicës, pas miratimit të një vendimi në lidhje me inicimin e procedurës për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, e cila është refuzuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), morën vendimin për të iniciuar një peticion për bashkimin e këtij qyteti, kërkesë kjo e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri. /Telegrafi/