Gareth Bale është futbollisti i radhës që ka ndihmuar me mjete financiare në luftën kundër COVID-19.
Ylli i Real Madrid së bashku me gruan e tij, kanë dhuruar 569 mijë euro për Spitalin Universitar të Uellsit, një institucion me të cilin Bale ka marrëdhënie të mira.
“Dëshira e Gareth dhe Emma ishte që paratë të shpenzohen në luftën kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.
Len Richards, drejtor ekzekutiv i këtij institucioni, falënderoi çiftin për kontributin e tyre bujar: “Është shumë inkurajuese të dëgjosh që ata kanë zgjedhur të kthejnë diçka në spitalin e tyre lokal”.
Shumë yje të futbollit nëpër botë, tashmë i kanë bashkuar kësaj nisme, duke ndihmuar në vendet e tyre në kohën e koronavirusit.