Balotelli tregon arsyen pse iu bashkua Sionit

Sulmuesi italian, Mario Balotelli gjatë merkatos verore arriti të sigurojë transferimin e tij larg Turqisë, kështu duke kaluar në Zvicër.

Marketing

Balotelli tani është transferuar te skuadra zvicerane, FC Sion, me të cilën ka rënë dakord për një marrëveshje dy vjeçare, duke përfituar tre milionë euro në sezon.

Në një intervistë pas transferimit te Sioni, Balotelli tregoi se dëshironte me çdo kusht që të largohej nga Adana, pasi qysh në bisedimet e para ishte bindur nga skuadra zvicerane.
“Unë nuk e konsideroj vetën time një yll. Më pëlqeu mënyra se si klubi kontaktoi me mua. Që nga intervista e parë, unë isha 98% i sigurt që unë do të luaja për Sionin. Dëshiroja të largohesha nga Adana, por të dy palët duhej që të gjenin marrëveshjen e duhur. Nuk është kurrë e lehtë kur ke kontratë”, tha Balotelli.

Sioni momentalisht zë vendin e gjashtë në tabelë pas gjashtë ndeshjeve në Super Ligën e Zvicrës, ku ka arkëtuar tetë pikë, gjashtë sosh më pak se lideri i tabelë, Young Boys. Skuadra zvicerane është nën urdhrat e trajnerit italian, Tramezzani, për të cilin Balotelli kishte vetëm fjalë të mira.

“Unë jam i lumtur që ai është këtu, për dallim nga ajo se çfarë beson publiku, unë kam kaluar shumë mirë me të gjithë trajnerët që i kam pasur. Unë nuk e njoh atë por menjëherë më ka pëlqyer personaliteti i tij”, tha Balotelli.

Po ashtu, Balotelli foli edhe për karakterin e tij, ku edhe e pranoi se ka bërë disa gabime gjatë karrierës së tij.

“Unë kam bërë disa gabime gjatë karrierës sime, por ka edhe disa gjëra për mua të cilat njerëzit nuk i dinë”, tha Balotelli.

Në fund, sulmuesi italian tregoi se dëshira e tij është që të fitoj titullin e kampionit me skuadrën e Sionit.