Sipas medieve britanike, hajdutët shqiptarë kanë arritur që të marrin orët Rolex dhe sende të tjera me vlerë më shumë se 300 mijë paund.

Banda shënjestroi shtëpitë e futbollistëve të pasur në të gjithë Surrey, Essex, Kent dhe Hertfordshire, njëra prej të cilave i përkiste lojtarit të Chelsea, Streling.

Ata hynë në shtëpinë e Sterling ndërsa ai ndodhej jashtë vendit duke luajtur për Anglinë në Kupën e Botës në Katar, përmes kopshtit të pasmë dhe përdorën një shkallë për t’u ngjitur në dhomën e gjumit të lojtarit ku vodhën 10 nga orët e tij luksoze Rolex.

Shqiptari Emiliano Krosi, 24 vjeç, ka pranuar se është përfshirë në 15 vjedhje, por mohon të jetë i përfshirë në 33 vjedhjet e tjera për të cilat akuzohet.

Sipas Gjykatës, vjedhja e parë është kryer më 12 nëntor 2022 në Oxshott, Surrey. E fundit më 15 mars në Barnes Hall Manor, Hertfordshire, vitin e kaluar.

Metoda e hajdutëve ishte ajo e hyrjes përmes kopshtit. Më pas përdorimi i shkallëve ose mobiljeve të kopshtit për tu ngjitur në katin e parë të shtëpisë.

Më pas ata kryenin një kërkim të shpejtë.