Në përvjetorin e ngjarjeve tragjike në Kuvend më 27 prill 2017, Bashkimi
Demokratik për Integrim apelon deri tek të gjitha partitë politike që të
zotohen 27 prilli të mos ndodh asnjëherë më.
Njëkohësisht, BDI dënon gjuhën e urrejtjes e cila u dëgjua gjatë
protestës së organizuar të dielën në mbrojtje të personave të akuzuar
dhe të dënuar për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvend.
Paraqitja e mendësisë së para vitit 2001 nuk i ka hije një shoqërie
multietnike dhe një shteti siç është Republika e Maqedonisë së Veriut
pasi që ajo dëmton vazhdimin e ndërtimit të mirëbesimit mes popujve
tonë.
Njëra nga pjesëmarrëset në këtë protestë gjatë fjalimit të saj para të
pranishmëve tha se për të është e papranueshme që të dënuarit e 27
Prillit të vazhdojnë të mbeten prapa grilave kurse siç potencoi ajo,
terroristët e vitit 2001 të udhëheqin me pushtetin.
Gjithashtu po e njëjta pjesëmarrëse ka thënë se personat që terrorizuan
kuvendin me 27 Prill të vitit 2017 janë patriot, atdhedashës dhe
patjetër që ata duhet të mos trajtohen njëjtë sikur dhe terroristët e
vitit 2001.
BDI konsideron se këto ide arkaike dhe regresive duhet të dënohen nga të
gjithë pjesëmarrësit e protestës dhe të distancohen në mënyrë që mos të
identifikohen me të njëjtat.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë, është dhe do të mbetet i
përkushtuar që vendi të funksionojë si një shtet anëtar i NATO-së dhe
një vend që në një të ardhme të afërt synon të bëhet pjesë e Bashkimit
Evropian.
Me respekt,
Bashkimi Demokratik për Integrim