BDI: Amerika me porosi të fuqishme ndaj VMRO, votoni ndryshimet kushtetuese

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe thirrja e përfaqësuesit special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ndaj VMRO-së dhe Levicës për të përkrahur rrugën europiane të vendit dhe për të votuar ndryshimet kushtetuese është sinjal i qartë paralajmërues që nuk duhet të hasë në vesh të shurdhër.

Marketing

Nëse deri dje thirrjet dhe kërkesat tona për konstruktivitet janë cilësuar si subjektive dhe janë shpërfillur vazhdimisht nga ana e opozitës, konfirmim për racionalitetin e tyre është mesazhi i drejtpërdrejt i SHBA-ve që t’i jepet fund bllokadës dhe pengmarrjes së të ardhmes europiane të vendit.

Vlerësojmë se ka ardhur koha për reflektim nga ana e opozitës, jo vetëm në aspektin deklarativ, të dëshmojë konstruktivitet në çastet vendimtare kur duhet të përshpejtojmë hapin drejt Europës.

Bashkimi Demokratik për Integrim është i bindur se tek opozita maqedonase ka frymë europiane që do të triumfojë mbi konfuzionin dhe protagonizmin subjektiv.

Armiku më i madh i vendit është stagnimi, prandaj le të marrim të gjithë mbi supe përgjegjësi duke menduar mbi të gjitha ardhmërinë e fëmijëve tanë.