BDI jep Administratën, merr Bujqësinë, ja kush zgjidhet ministër

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Alternativës përfundimisht arritën marrëveshjen për rritje të shumicës parlamentare dhe bashkëqeverisje, shkruan TetovaSot.

Marketing

Kryeministri u prononcua për ministritë dhe drejtoritë që do t’i merr Alternativa:

“Alternativa do të emërojë ministrinë e Shëndetësisë, do të merr Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, një ministër pa resorë për Diasporën, tre zëvendës ministra, një zv/ministër për Arsim, zv/ministër për Kulturë, një mbetet për ta konkretizuar, edhe pse kemi folur për Ministrinë e Bujqësisë”, deklaroi Zaev.

Ndërkaq, siç ka arritur të mësojë TetovaSot, Bashkimi Demokratik për Integrim do të japë Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës ndërsa do të merr Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Një nga ministritë më të fuqishme që edhe iu nevojitet shqiptarëve, ajo e Bujqësisë, do të drejtohet nga Jeton Shaqiri, ministri i cili pati sukses në udhëheqjen e deritanishme me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Nga ana tjetër, siç mëson TetovaSot, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar edhe më shumë pozicione se sa që ka pasur në Qeverinë LSDM-BESA-BDI, pasi do të drejtojë edhe më shumë institucione në përbërjen e re Qeveritare.

Ndryshe kryeministri Zaev tha se në Qeverinë e re ai nuk do të jetë mandatar, respektivisht ministrat e ri do të kenë kryeministër tjetër.

“Ministrat e ri dhe Qeveria e re nuk do to vijnë me mua si kryeministër. Ministrat e ri dhe Qeveria e re do të vijnë me mandatar të ri, gjegjësisht kryeministër i ri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Zaev.