BDI: Keqardhje për komentet e Zaevit, urojmë sukses për LSDM dhe vazhdim të bashkëpunimit

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh keqardhje për komentet e sotme
të drejtuesit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe partner
aktual i koalicionit tonë qeverisës, z. Zoran Zaev.

Marketing

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk pendohet për koalicionin me LSDM-në
në vitin 2016, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në referendumin e
vitit 2018, por edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.

Përkundrazi, konsiderojmë që bashkëpunimi jonë ia ndryshoi vendit emrin,
e ndryshoi kushtetutën, përmbylli marrëveshjet me Greqinë dhe Bulgarinë
si dhe pjesën normative të marrëveshjes paqësore të Ohrit bashkë me
reformat në sistemin e sigurisë, administratë dhe në gjyqësor, andaj dhe
ne nuk pendohemi që lidhëm koalicion në vitin 2016 me partinë humbëse në
rrethana shumë specifike.

Bashkëpunimi jonë në zgjedhjet lokale solli fitore bindëse për LSDMnë
edhe në Shkup, Kumanovë, Veles, Manastir, Ohër dhe shumë komuna të tjera
dhe ne nuk pendohemi që e kemi ndihmuar Lidhjen Social Demokrate.

Gjithashtu nuk pendohemi edhe që bashkarisht bëmë fushatë për referendum
për ndryshim të emrit, e aq më shumë që nuk lejuam mbajtjen e zgjedhjeve
të parakohëshme pas referendumit, por insistuam në gjetjen e minimum 8
deputetëve për ndryshim të kushtetutës dhe këtë e bemë.

Ndërsa, zgjedhjet e fundit presidenciale ishin ngadhnjim i konceptit
tonë të konsensualitetit sepse u dëshmua që kandidati partiak për
president nuk fiton dot, ndërsa kur është konsensual, ai ose ajo
ngadhnjen.

Bashkimi Demokratik për Integrim uron sukses për Lidhjen Sociale
Demokrate të Maqedonisë në këto zgjedhje dhe shpresojmë që bashkëpunimin
tonë të suksesshëm ta vijojmë edhe pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

Marketing