BDI: Koalicioni qeverisës është stabil, konfirmojmë fitoren në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale

Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani në
konferencën e sotme për shtyp ka shprehur vlerësimin e BDI-së rreth
fushatës zgjedhore, rrjedhës së procesit zgjedhor në rrethin e parë dhe
rezultatet e arritura për kryetarë komunash dhe listat e këshilltarëve
komunal.

Marketing

Osmani ka vënë në dukje faktin e rritjes së konsiderueshme të votave të
Bashkimit Demokratik për Integrim në krahasim me numrin e votave të
fituara në zgjedhjet lokale të vitit 2017 duke e cilësuar këtë reflektim
të besimit ndaj agjendës së blertë si oferta më kreative në skenën
politike të vendit.

Ai ka ftuar qytetarët që në rrethin e dytë masovikisht të dalin dhe të
votojnë numrin 3 në komunat ku garon Bashkimi Demokratik për Integrim,
si dhe të japin përkrahjen e tyre për kandidatin e LSDM-së Petre
Shilegov për kryetar të Qytetit të Shkupit.

Sipas Osmanit, koalicion qeveritar është i qëndrueshëm dhe pritet që
pas zgjedhjeve të zgjerohet.

“Nuk ka as shumicë të re parlamentare dhe as nevojë për zgjedhje të
parakohshme parlamentare. Koalicioni qeveritar është i qëndrueshëm, dhe
pas zgjedhjeve, ne presim që shumica parlamentare edhe të zgjerohet’,
tha zëdhënësi Osmani në konferencën për shtyp.

Në vazhdim po ua sjellim fjalimin e plotë të konferencës për shtyp:

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Qytetarë të dashur,

Më lejoni në fillim të shpreh kënaqësinë për rezultatin e arritur nga
Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje. Kandidatët tanë për
kryetarë komunash fituan besimin e jo më pak se 130 mijë votave, që
përveç mbështetjes partiake flet edhe për kredibilitetin e tyre personal
dhe popullaritetin e tyre mes shqiptarëve. Ky besim i qytetarëve
rezultoi me tre pozita për kryetarë komunash të fituara qysh në raundin
e parë – Likovë, Saraj dhe Pllasnicë; por edhe besim të konsiderueshëm
tek kandidatët tanë, i cili reflektohet në avantazhin në shumicën e
komunave me të cilat hyjmë në raundin e dytë.

Është i ngjashëm edhe avantazhi, të cilin qytetarët na e dhanë për
listat e këshilltarëve: së pari dua të theksoj mirënjohjen për besimin e
fituar nga mbi 104 mijë vota për listat e këshilltarëve, besim që na
detyron që t’i artikulojmë, ruajmë dhe promovojmë nevojat politike të
shqiptarëve, si forca më legjitime politike që i përfaqëson interesat
dhe ambiciet e tyre.

Ajo që na bën veçanërisht krenarë është se ky sukses është rezultat i
një fushate të qetë, pozitive, me të cilën, si parti arritëm të
imponojmë një ofertë kreative, të cilën qytetarët e pranuan me besim.
Përmes votës së tyre, përmes besimit që na dhanë në këto zgjedhje,
qytetarët në njëfarë mënyre e betonuan Agjendën e Blertë, si një temë
qendrore politike në shoqëri, e cila në mënyrë të pashmangshme do të
reflektohet edhe në diskursin e ardhshëm politik.

Sigurisht, na mbetet një garë tjetër politike, raundi i dytë, në të
cilin po punojmë edhe më seriozisht e me më shumë përkushtim, duke e
promovuar Axhendën e Blertë, edhe më tej si kartë kryesore në këto
zgjedhje.

Në Shkup, pas fitores në Saraj, fokusi ynë qendror politik është komuna
e Çairit, ku pavarësisht përparësisë së madhe të raundit të parë, ne
punojmë çdo ditë në terren për të siguruar vazhdimësinë e projekteve të
filluara në mandatin në vijim, dhe besoj se qytetarët do ta konfirmojnë
besimin që e morëm në raundin e parë në Çair.

Ajo që ne gjithashtu e konsiderojmë shumë të rëndësishme është të
sigurojmë vazhdimësinë e projekteve dhe zhvillimin e qytetit të Shkupit
në tërësi, një zhvillim të imponuar nga kryetari aktual i Shkupit, Petre
Shilegov. Dua të theksoj se ne e konsiderojmë Shkupin si një qytet shumë
të ndryshëm nga katër vjet më parë; Shkupi sot është qytet që padyshim
tregon se në mënyrë të barabartë kujdeset për të gjithë qytetarët e tij.
Në këto katër vjet pamë se prioritet i qytetit mund të jenë edhe rajonet
ku jetojnë shqiptarët. Katër vitet e kaluara pamë zhvillim të rajoneve
deri tani padrejtësisht të lëna pas dore. Në fund të fundit gjatë katër
viteve të kaluara pamë çka do të thotë të ndërtohet një Qytet
multi-kulturor, me respekt edhe ndaj shumëllojshmërisë gjuhësore,
respekt ndaj arsimit në gjuhën amtare dhe në përgjithësi se si ndërtohet
mirëbesimi mes të gjithë qytetarëve në Shkup.

Shqiptarët këtë e dinë prandaj ia dhanë besimin qysh në raundin e parë.
Pres që ky besim të përsëritet në raundin e dytë, prandaj i bëj thirrje
të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia partiake, që për
Kryetar të Shkupit t’i japin besim Petre Shilegovit, që do të jetë
garancia më e madhe për vazhdimësinë e projekteve në zonat ku jetojnë
shqiptarët.

Vlerësoj se kjo është e rëndësishme edhe për të gjithë banorët e
kryeqytetit, për maqedonasit, romët, turqit, serbët, boshnjakët etj.
Krijimi i urave të komunikimit, besimit mes bashkësive etnike e bëjnë
Shkupin më të sigurtë, më stabil dhe qytet më progresiv.

Thjeshtë Shkupi bëhet qytet më i bukur për të gjithë qytetarët. Prandaj
është e drejtë ta mbështesim Petre Shilegovin edhe për një mandat si
Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Para se të kalojmë tek pyetjet, më lejoni të komentoj edhe spekulimet e
shumta që janë shfaqur në opinion. Nuk ka as shumicë të re parlamentare
dhe as nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Koalicioni
qeveritar është i qëndrueshëm, dhe pas zgjedhjeve, ne presim që shumica
parlamentare edhe të zgjerohet.

I bëj thirrje qytetarëve për qetësi, të dalin krenarë edhe në raundin e
dytë të këtyre zgjedhjeve. Nëse ata e njohën vlerën e Agjendës së
Blertë, iu bëj thirrje që të rrethojnë numrin 3, duke siguruar kështu
një të ardhme më të bukur, më të pastër dhe më të shëndetshme për veten
dhe të afërmit tuaj.

Marketing