Bashkimi Demokratik për Integrim para një numri të madh të qytetarëve të Komunës së Studeniçanit ju bë me dije se këto votime dhe kjo votë që do të jepet me 21 prill për kandidatin konsensual i jep shtytje proceseve euro-integruese në vend, me çka Maqedonia e Veriut do të vulos stabilitetin e saj drejt një të ardhme më të sigurt.
Në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim, foli shefi i shtabit për zgjedhjet presidenciale, Izet Mexhiti i cili nënvizoi se vendi ka hyrë në një fazë ku kryhen punë që 30 vite nuk kanë patur përfundim asnjëherë dhe një prej tyre është ndryshimi i emrit ku tani më është emërtuar si Maqedonia e Veriut.
“Maqedonia e Veriut ka hyrë në fazën ku duhet të anëtarësohet në NATO pas disa muajve si dhe u miratua Ligji për gjuhën shqipe gjë që e bënë të barabartë në nivel shtetëror me gjuhën maqedonase. Andaj ne nuk kemi komoditet që të rrezikojmë këto procese dhe me këtë po të kishte reflektuar opozita shqiptare mos të ishte e interesuar vetëm për akrobacione politik, për të rrahur gjoks këto 14-të ditë dhe të kishin mbështet kandidatin që është koordinator për NATO z. Pendarovski në rrethin e parë do të kishte përfunduar puna e presidentit me çka do të ishte zgjedhur z. Pendrovski, president i Maqedonisë së Veriut dhe vendi do të vazhdonte drejt NATO-s dhe Integrimeve në BE që është parakusht për stabilitet politik, ekonomikë dhe që është parakusht për hyrjen e investimeve të huaja dhe të brendshme, hapjen e perspektivave të reja për rinin dhe jo ikjen e të rinjve duke sjell Evropën në Maqedoninë e Veriut ,” u shprehë Mexhiti.
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi potencoi se çdo votë që shkon për kandidatin z.Reka është votë për margjinalizimin dhe majorizimin e votës shqiptare, çdo votë që mund të shkon për opozitën shqiptare është për llogaritë partiake, nuk është as për Rekën as për shqiptarët por është pastër votë për Aleancën dhe Besën për të bërë pazaret e tyre.
“Koha ka ardhur për të ngadhënjyer konsensualiteti si koncept i politikbërjes së shqiptarëve së paku në dy dekadat e ardhshme si instrument i vetëm në dorën tonë për ta parandaluar anashkalimin e votës shqiptare,” theksoi Grubi.
Në mes të tjerash deputeti Grubi shtoi se gjitha proceset kombëtare në Maqedoninë e Veriut i ka pri BDI-ja dhe e ka vulën mbi ato projekte dhe se këta që sot pretendojnë ti quajnë shqiptarët arnaut nuk ishin aty ku u ndryshua kushtetuta në vitin 2001-2002,ndarja territoriale edhe ligji për decentralizim në vitin 2004-2005, në vitin 2004 kur u bë legalizimin e Universitetit të Tetovës dhe as kur u morë ftesa për anëtarësim në NATO dhe kur u morr data për fillimin e me Bashkimin Evropian, nuk ishin në nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare sepse instaluan problem duke na çuar në Tiranë dhe duke e quajtur platforma e Tiranës.
“Sot të njëjtën gjë që e bëjnë duke instaluar probleme me Kosovën nëpërmjet pjesëmarrjeve të ndryshme në tubimet e tyre dhe duke i dhënë pretekst VMRO-DPMNE-së për të argumentuar përfshirjen e Prishtinës dhe Tiranës në zgjedhjet e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Asnjëherë këto shqiptarët “patriot” nuk kanë qenë në anën e duhur të historisë por në anën e partive opozitare kësaj radhe të VMRO-DPMNE-së. Unë ju ftoj që me 21 prill ta rrethojmë numrin 3 dhe ta hapim rrugën për politikat konsensuale,” përfundoi Grubi.
Kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, tha se Bashkimi Demokrati për Integrim nuk ka zhgënjyer por në krye me kryetarin Ali Ahmeti ka marrë vendime shumë të guximshme që ndoshta në ndonjë fazë janë parë me skepticizëm por koha ka dëshmuar dhe ka trasuar rrugë shumë të suksesshme për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut
“Ky proces zgjedhor është rrumbullaksim i politikave të jashtme gjegjësisht të politikave integruese .Me këtë do të hapen mundësi për një zhvillim të madh ekonomikë dhe për këtë të jeni më të sigurt se gjithë strukturat e BDI-së, mbajnë llogari e veçanërisht, kryetari Ahmeti mbajnë llogari për situatën pas zgjedhore ku nuk do të kemi pengesa në Qeveri, Kuvend, Presidencë, Komuna dhe Drejtori,” potencoi Bexheti.