Jam krenar me punën e përbashkët të kësaj Qeverie për të sjellë vendin në NATO dhe në rrugën e drejtë të Bashkimit Evropian, tha zëvendëskryeministri Bujar Osmani në emisionin “200” në Alsat-M.
“Vizitat e fundit në Paris dhe Zagreb i bëmë bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme, që do të thotë se deri në momentin e fundit ne kemi punuar bashkërisht në çështjet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Që nga dita e parë e deri në të fundit, çdo sfidë, çdo gëzim dhe çdo dëshpërim e kemi ndarë bashkërisht në Qeveri dhe kështu do shkojë deri në fund”, ka thënë Osmani, ndërsa ka hedhur poshtë akuzat për “shantazhim” nga BDI, e që së fundmi indirekt i përmendi lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi, duke kërkuar 61 mandate deputetësh për t’i ik koalicionit pas zgjedhor me fitues shqiptar.
“Nuk kemi shantazhuar asnjëherë. Apo, cilat janë shantazhimet e BDI-së? Atëkohë kur përcaktoheshin si shantazhime tona, ishin kërkesat për gjuhën, për NATO-n dhe BE-në! Shantazhime të them kushtimisht, në emër të qytetarëve”, tha Osmani.