BDI: Stop urrejtjes politiko-etnike ndaj idesë për kryeministrër shqiptar

Përmes një reagimi me shkrim Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim për, siç shkruajnë, reagimet e përfaqësuesve të partive politike maqedonase ndaj nismës së integristëve për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

“Gjuha e urrejtjes dhe shpërthimi i nacionalizmit tek përfaqësues politik maqedonas flet për mosgatishmërinë e shoqërisë për barazinë e plotë dhe për trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve. Kryeministri i parë shqiptar do të jetë kryeministër i barazisë, kryeministër i të gjithëve, i zhvillimit dhe i partneritetit euroamerikan dhe do të përfaqëson interesat e shtetit dhe të çdo qytetari në mënyrën më të denjë të mundshme” shkruhet në reagim.

Po ashtu nga BDI thonë se këshilltari i kryetarit të komunës Butel, i cili gjithashtu u zgjodh me vota shqiptare, i priu publikisht urrejtjes ndaj idesë së kryeministrit të parë shqiptar dhe shqiptarëve në përgjithësi që është për keqardhje dhe për përgjegjësi penale para organeve të shtetit. BDI fton partitë maqedonase të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe të pranojnë garën demokratike për kryeministër të vendit tonë.