BE: Çështjen lidhur me Ruskovskën dhe Muaremin duhet ta zgjidhin organet kompetente

Bashkimi Evropian me kujdes i ndjekë ngjarjet lidhur me shkëmbimet dhe akuzat publike të ndërsjella midis shefes së Prokurorisë Themelore Publike për Përndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP PKOK), Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi dhe vlerëson se – këtë çështje duhet ta zgjidhin organet kompetente, thuhet në përgjigjen për MIA-n nga Delegacioni i BE-së në Shkup lidhur me thirrjen e prokurores publike Ruskovska drejtuar institucioneve kompetente shtetërore dhe ambasadave të huaja dhe organizatave ndërkombëtare.

Marketing

“Zbatimi i qeverisjes të së drejtës është një prej prioriteteve më të larta për Bashkimin Evropian. Është pjesë thelbësore e klasterit të ardhshëm negociues për Vlerat fundamentale, që do të hapen fillimisht në negociatat aderuese me BE-në”, theksojnë nga Delegacioni i BE-së.

Në përgjigje thuhet se ligjet ekzistuese të vendit i rregullojnë kompetencat përkatëse të autoriteteve nacionale dhe mënyrat e bashkëpunimit të tyre të ndërsjellë, që duhet të respektohen.

“Këtë çështje duhet ta zgjidhin organet kompetente”, shtohet në përgjigje.

Shefja e PTHP PKOK, Vilma Ruskovska ju bëri thirrje institucioneve kompetente në shtet, si edhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave, para së gjithash Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së, “njëherë e përgjithmonë të verifikohen të gjitha faktet dhe të zbardhet se kush në këtë shtet lufton kundër krimit dhe kush e bën krimin”.

Në reagimin me shkrim pas brifingut të pardjeshëm të drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi, në të cilin ai paralajmëroi se do të shtrojë padi penale kundër saj dhe prokuroreve Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, Ruskovska potencoi se është neveritës, presioni mbi prokurorët e PTHP PKOK nga një person i emëruar nga Qeveria, si edhe ndërhyrja në një lëndë të PTHP PKOK, që ndalohet në mënyrë strikte në pajtim me Ligjin për Prokurorinë Publike.

“Maqedonia nuk është as diktaturë dhe as monarki. Në Maqedoni nuk guxon të qeverisë vullneti i disa funksionarëve aktual ose të mëparshëm qeveritar që prokurorët t’i mbyllin sytë para cilitdo krim, sikur edhe të jetë personi nga qarqet më të larta të Qeverisë”, potencon Ruskovska.

Në përgjigjen e thirrjes së Ruskovskës dje Ambasada e SHBA-së vlerësoi se bëhet fjalë për një proces vijues dhe është çështje që duhet ta zgjidhin organet kompetente në shtet.

“Ambasada e SHBA-së është investuar në promovimin e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe mbështet përpjekjet e autoriteteve dhe gjyqësorit për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndërmjet institucioneve dhe brenda tyre”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në vend dërguar televizionit Telma, në lidhje me thirrjen e Ruskovskës.