BE-ja dhe India do të diskutojnë për rinisjen e bisedimeve për tregtinë

Bashkimi Evropian dhe India do të tentojnë të rinisin bisedimet për tregti të lirë, në samitin që mbahet më 8 maj, ku po ashtu pritet të bisedojnë për mënyrat se si të zbusin efektet e pandemisë së koronavirusit në bllokun evropian.

Liderët e BE-së do të mbajnë një video-konferencë me presidentin e Indisë, Narendra Modi më 8 maj. Modi nuk ka mundur që të marrë pjesë fizikisht në këtë mbledhje, për shkak të krizës shëndetësore në shtetin e tij.

Liderët e BE-së, janë mbledhur në Porto të Portugalisë për këtë samit, ku pritet të bisedojnë për rinisjen e negociatave BE-Indi lidhur me tregtinë, negociata këto që kanë ngecur më 2013, mbi uljen e tarifave, mbrojtjen e patentave, sigurinë e të dhënave dhe të drejtat e profesionistëve indianë që duan të punojnë në Evropë.

Marketing

BE-ja dhe India po tentojnë që ta shfrytëzojnë mundësinë për të forcuar marrëdhëniet, pasi të dyja palët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me fuqizimin ekonomik të Kinës.

Por, grupet si Amnesty International, po i bëjnë presion liderëve të BE-së që të mos injorojnë shtypjen e disidentëve nga qeveria e Modit.

Në samitin e BE-së, më 7 maj, liderët po ashtu diskutuan për propozimin e Shteteve të Bashkuara për të pezulluar mbrojtjen e pronësisë intelektuale të vaksinave kundër COVID-19, që ka për qëllim të përshpejtojë dhënien fund të pandemisë. Liderët evropianë shprehën interesin e tyre lidhur me këtë propozim të SHBA-së, por shumë kanë shprehur dyshime se një lëvizje e tillë do të rrisë prodhimin e vaksinave.