BE-ja do të financojë projektet që do të lidhin të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me autostrada e hekurudhë

Olivér Várhelyi, komisari i Zgjerimit të BE-së, është shprehur se brenda mandatit të komisionit aktual do të financohen projektet që do të lidhin të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me autostrada e hekurudhë.

Marketing

“Vendet që duan të bashkohen me BE-në, ne i ndihmojmë me zhvillimin ekonomik dhe konvergjencën. Për më tepër, bëhet fjalë për projekte që nuk përfitojnë nga kjo apo ajo elitë, por nga rajoni në tërësi. Për shembull, ne duam të lidhim të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin me autostrada dhe linja hekurudhore. Këto janë projekte objektive që ne do t’i financojmë brenda mandatit të komisionit aktual”, tha Olivér Várhelyi.

Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare një muaj e gjysmë më parë i ka rekomanduar Bashkimit Evropian ndërtimin e një rrjeti linjash hekurudhore të shpejtësisë së madhe, dhe në të parashikohet edhe përfshirja e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ky institut, një organizatë e pavarur jofitimprurëse, ka bërë studime për tregjet dhe ekonominë e vendeve të BE-së dhe të kandidatëve për anëtarësim në Union. Instituti kërkon që Bashkimi Evropian të nisë të investojë në ndërtimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë nga 250 deri në 300 kilometra në orë, që të lidhë metropolet si Berlini dhe Parisi edhe me vendet e Ballkanit, si Shqipëria apo Kosova. Linja që propozohet të prekë Shqipërinë do të nisë nga Berlini, ku do të përfshijë Çekinë, Austrinë, Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Bullgarinë, Serbinë, Rumaninë, Hungarinë.

Një degëzim i kësaj linje propozohet të shtrihet nga Sofja, në Maqedoni, pastaj nga Greqia deri në Qipro. Hekurudha duhet të lidhë qytetet me të zhvilluara të Evropës me vendet e pazhvilluara të kontinentit të tilla si Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Ndërsa linjat e tjera të propozuara do të lidhin vendet e Baltikut me Spanjën. Nga kjo linjë do të ketë një tjetër që do të zgjatet në Itali dhe një në Britaninë e Madhe. Në pjesën shqiptare, hekurudha e shpejtë do të futet në Shqipëri në Shkodër nga Mali i Zi dhe më pas do të vijojë në Lezhë në krah të Rrugës së Kombit për të hyrë në Kosovë. Në total, rrjeti i ri hekurudhor i shpejtësisë së lartë parashikohet të jetë 18.249 kilometra e gjatë. Shtrirja e kësaj linje në Ballkanin Perëndimor pritet të jetë 1564 kilometra e gjatë me kosto 49 miliardë euro. Në Shqipëri, rrjeti propozohet të ketë gjatësi 304 kilometra, me kosto 7 miliardë euro.

Në prill të vitit 2010 ishkryeministri I Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi se do të fillojë studimi I fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës ShqipëriKosovë. “Unë do të shoh dhe do të marr fizibilitetin për hekurudhën ShqipëriKosovë. Porti i Durrësit do të bëhet shumë i madh. Shqipëria nuk është më e varfër, por ka një potencial real edhe për ndërtim hekurudhash të këtyre përmasave. Shqipëria duhet të dalë detyrimisht drejt Evropës Qendrore me hekurudhë dhe rruga më e mirë është drejt Kosovës”, deklaroi asokohe Sali Berisha. /KOHADITORE/