BE-ja e dënon rëndë “AliExpress”-in: 550 milionë euro gjobë për produkte të pasigurta dhe të falsifikuara

BE-ja e dënon rëndë “AliExpress”-in: 550 milionë euro gjobë për produkte të pasigurta dhe të falsifikuara

Kompania ka afat deri më 20 tetor për t’i mënjanuar mangësitë, pasi Komisioni Evropian konstatoi shkelje serioze të Aktit për Shërbimet Digjitale.

Komisioni Evropian i shqiptoi sot një gjobë prej 550 milionë eurosh platformës kineze të tregtisë elektronike “AliExpress”, duke vlerësuar se kompania nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për ta zvogëluar rrezikun nga shitja e produkteve të paligjshme, të pasigurta dhe të falsifikuara.

Sipas Komisionit Evropian, kompania ka shkelur dispozitat e Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), pasi nuk ka bërë vlerësim të duhur nëse disponon me burime dhe personel të mjaftueshëm për kontrollimin efikas të produkteve që ofrohen në platformë.

Në arsyetim thuhet se sistemi i rekomandimeve të “AliExpress”-it, në raste të caktuara, fillimisht u ka sugjeruar përdoruesve produkte të paligjshme dhe vetëm më pas ato janë larguar nga oferta.

Komisioni Evropian ka vlerësuar gjithashtu se mekanizmat për zbulimin e produkteve të tilla nuk kanë funksionuar në mënyrë efikase. Brukseli konstatoi se kompania nuk i kishte zbatuar në mënyrë të vazhdueshme rregullat e veta për sanksionimin e tregtarëve që shesin produkte të paligjshme dhe nuk kishte ndërmarrë masa të mjaftueshme për parandalimin e shitjes së mallrave të falsifikuara.

“AliExpress” ka afat deri më 20 tetor që t’i dorëzojë Komisionit Evropian një plan veprimi, në të cilin duhet t’i paraqesë masat që do t’i ndërmarrë për mënjanimin e mangësive të konstatuara dhe harmonizimin me rregullat evropiane.

Akti për Shërbimet Digjitale përbën kornizën kryesore rregullatore të Bashkimit Evropian për platformat digjitale. Ai vendos detyrime më të rrepta për sigurinë e përdoruesve, transparencën dhe përgjegjësinë për përmbajtjet dhe produktet që ofrohen në internet. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF