BE nuk pajtohet me embargon e armëve ndaj Turqisë

Vendet anëtare të BE-së dënuan sot ndërhyrjen ushtarake turke në veri të Sirisë, por nuk arritën të bien dakord në vendosjen e një embargoje armësh ndaj Turqisë, shtet anëtar i NATO-s.

Marketing

Ata thjesht ranë dakord njëzëri që të mbajnë qëndrime të forta kombëtare mbi politikën e tyre të eksportit të armëve drejt Turqisë.

“A do të jetë e mjaftueshme? Do ta shohim”, komentoi kryediplomatja europiane, Federica Mogherini, pas takimit të ministrave të jashtëm europianë në Luksemburg.
Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Europian u mblodhën sot për të diskutuar mbi aktivitetet ushtarake të Turqisë në veri të Sirisë, sipas shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

Në një deklaratë për mediet para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë të BE-së, Mogherini tha se kjo temë do të diskutohet edhe gjatë samitit të liderëve më 17 dhe 18 tetor.

Mogherini deklaroi se në mbledhje do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi special i OKB-së për Sirinë, Geir O. Pedersen.
“Në kuadër të kësaj, ne do të bisedojmë për mënyrat e mbrojtjes së procesit politik nga tensionet ushtarake në rritje”, deklaroi Mogherini.

“Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare do të diskutojnë se çfarë hapash mund të merren lidhur me aktivitetet e Turqisë në Siri”, tha kryediplomatja europiane.

Marketing