Ish kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta zyrtarisht ka pranuar se do të garojë në zgjedhjet lokale të viti 2021 për të parin e Gostivarit. Sonte në emisionin “Politica” në TV Globi, tha se kandidimi i sërishëm vjen si nevojë dhe kërkesë e qytetarëve.
Sqaroi se për kandidimin e mundshëm e ka marr bekimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe të Degës së kësaj partie në Gostivar.
“Sigurisht që nuk do të dilja kokë më vete. Qytetarët ma kanë kërkuar garimin e sërishëm. Thonë se qyteti është katandisur dhe i duhet një person si unë për ta rregulluar. Pas marrjes së bekmit të liderit Ahmeti dhe të Degës në Gostivar, tani mbetet kur të vijë koha e anketimeve të brendshme partiake. Nëse ato do të më nxjerrin të parin, unë jam gati ti shërbejë sërish qytetit tim”, tha Nevzat Bejta, ish kryetari i Komunës së Gostivarit.
Ai tha se gjatë mandatit të tij 2013-2017 i kishte realizuar të gjitha premtimet e dhëna, prandaj qytetarët i kërkojnë sërish të vijë në krye të komunës. Qytetarët, tha Bejta, din të vlerësojnë drejtë dhe në komunikim të përditshëm me ata, merr të dhëna se, sipas tij, sa keq qeveriset sot në Gostivar.
Ai përmendi edhe tre projekte që i ka gati që tani për Gostivarin dhe që i sheh si urgjencë që i duhen qytetit.
“Deponia Rusino duhet të zgjidhet menjëherë, sistemi i ujësjellësit duhet të përfundojë dhe të ndërtohet një rrethrrotullim në dalje të qytetit, konkretisht te pikëpagesa për ta shkarkuar komunikacionin”, deklaroi Bejta.