Bekteshi dhe Kosharac nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe bashkëpunim në turizëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinës, Stasha Kosharac, sot në Ministrinë e Ekonomisë nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e turizmit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës.
Qëllimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës është promovimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qeveritare, organizatave profesionale, shoqatave të biznesit, operatorëve ekonomikë, odave ekonomike etj. Marrëveshja gjithashtu do të inkurajojë dhe lehtësojë shkëmbimin e informacionit ekonomik me interes të ndërsjellë, mbështetjen e marrëveshjeve ndërmjet biznesmenëve dhe mbështetjen për pjesëmarrjen në ekspozita dhe panaire të organizuara në vendet e tyre, inkurajimin e aktiviteteve investuese, krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta.
Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit mundëson forcimin e kontakteve të përhershme dhe vendosjen e të rejave, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit nga operatorët turistikë, përmes marrëveshjeve me oferta turistike nga të dy vendet, shkëmbimin e ekspertëve, mbajtjen e seminareve, rritjen e aktivitete propagandistike përmes promovimit të ofertës sonë turistike, hapjes së mundësive për investime direkte dhe ndërmarrje të përbashkëta të kompanive nga ky vend në ekonominë turistike të Maqedonisë, pjesëmarrje në panaire turistike, si dhe video-dokumentim i bukurive dhe mundësive turistike të dy vendeve.

Marketing

“Ministria e Ekonomisë është gjithmonë e interesuar për thellimin e bashkëpunimit me Bosnje-Hercegovinën dhe sot e kemi zyrtarizuar duke lidhur dy marrëveshje. Një në fushën e bashkëpunimit ekonomik, dhe një në fushën e turizmit. Është shumë e rëndësishme që të harmonizohen gjërat që duhen për biznesmenët e të dy vendeve, e kjo është lehtësimi i tregtisë, që do të thotë edhe rritje e tregtisë”, tha ministri Bekteshi pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe shtoi se ka potencial për bashkëpunimin mes dy vendeve në pjesën e energjisë, duke pasur parasysh se BeH është eksportuesi më i madh neto i energjisë elektrike nga të gjitha vendet e rajonit, si dhe në pjesën e realizimit të projekteve të përbashkëta dhe investimeve në kapacitete të reja energjetike.
“Maqedonia e Veriut ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me BeH dhe ne mbështesim të gjitha iniciativat rajonale me qëllim të lehtësimit të lëvizjes dhe punës së kompanive dhe qytetarëve të të gjitha vendeve në rajon, siç është shembulli i Ballkanit të Hapur. Dera e kësaj nisme është e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Bekteshi.
Ministri Kosharac tha se është me rëndësi shkëmbimi i përvojave mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe rritja e bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut.
“Me marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik do të hartohen cilat do të jenë politikat dhe hapat konkret që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme për lidhjen e kompanive mes dy vendeve. Potencial të madh për bashkëpunim ka edhe në fushën e turizmit. Maqedonia e Veriut ka bërë një hap pozitiv sa i përket ofertës turistike dhe tërheqjes së turistëve të huaj dhe me Marrëveshjen për bashkëpunim në turizëm që e nënshkruam sot, është e mundur të rritet bashkëpunimi mes dy vendeve dhe të ofrohet një ofertë e përbashkët turistike për të gjitha vendet e rajonit”, tha Kosharac.
Tregtia totale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës ka qenë në rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Vitin e kaluar është arritur një shkëmbim total prej 193 milionë eurosh, që është një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2021.
Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2022, 6,854 turistë nga Republika e Bosnjë-Hercegovinës e kanë vizituar Maqedoninë e Veriut, që është një rritje prej 32,3%, krahasuar me një vit më parë.