Bekteshi e Shaqiri prezantuan masën e re për vauçerët e turizmit vendor për studentët

Masa e Ministrisë së Ekonomisë për vauçerët për mbështetje të turizmit vendor që ishte destinuar për punëtorët me të ardhura të ulëta nga viti i ardhshëm do të jetë e destinuar
vetëm për studentët në universitetet shtetërore në vend.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ai i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri kanë zhvilluar sot takim pune me përfaqësues të kuvendeve studentore të disa prej universiteteve shtetërore, të cilëve ua kanë prezantuar këtë masë të re.
Qëllimi i takimit ishte që së bashku me përfaqësues të kuvendeve studentore të
përcaktohen kriteret sipas të cilave do të jepen vauçerët për turizmin vendor.
“Sot diskutuam me studentët kriteret e ndarjes së vauçerëve për turizmin vendor për studentët dhe pritshmëritë e tyre nga kjo masë, të cilën Ministria e ka zbatuar në katër vitet e fundit për punëtorët me të ardhura të ulëta. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, këtë masë e sollëm në Ministrinë e Ekonomisë që të jetë vetëm
për studentët vitin e ardhshëm. Ne duam t'u japim studentëve mundësinë për të vizituar pikat turistike vendase, për të eksploruar potencialin turistik të vendit. Për këtë qëllim në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë janë paraparë 64 milionë denarë. Vlera e vauçerit do të varet nga propozimet që do të vijnë nga studentët dhe në varësi të kësaj do të dihet edhe numri i studentëve që do të përfshihen dhe sipas vlerësimeve fillestare do të
përfshihen nga 3000 deri në 4000 studentë nga universitetet shtetërore”, tha ministri Bekteshi pas takimit me përfaqësuesit e studentëve.

Marketing

Masa, siç tha ministri Bekteshi, parashikohet të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm dhe vauçerët do të mund të përdoren deri në fund të vitit të ardhshëm.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, tha se Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me Ministrinë e Ekonomisë po prezantojnë një masë të re për ngritjen e standartit të studentor.
“Në të kaluarën kemi pasur disa masa që i kemi diskutuar me të gjitha organizatat studentore për një vlerë më të lartë të racionit të subvencionuar studentor, duke vazhduar me bursa më të larta dhe tani vazhdojmë t'i mbështesim studentët me vauçerë për turizmin vendor. Masa është për t'u përshëndetur sepse duhet të motivojmë
studentët gjatë studimeve që të arrijnë rezultate më të mira dhe me këtë masë mund të kontribuojmë edhe në zhvillimin e turizmit të vendit tonë”, tha ministri Shaqiri.
Kjo masë është shtesë e masave nga pakoja e nëntë e masave antikrizë të Qeverisë në pjesën e përmirësimit të standartit studentor, krahas mbështetjes së transportit për studentët dhe nxënësit.
Kriteret për vauçerët e studentëve do të precizohen gjatë javës së ardhshme dhe do të rezultojnë nga propozimet e shoqatave studentore.