Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot mori pjesë në shënimin 90-vjetorit të Odës së Zejtarisë Shkup.
Në fjalimin e tij, ministri Bekteshi theksoi se 90-vjetori tregon qartë se sa gjatë dhe me përpikëri kujdeset Oda për mbijetesën dhe funksionimin e zejtarisë në Maqedoninë e Veriut.
“Odat e zejtarëve janë hallkë e rëndësishme në gjithë eko-sistemin, e veçanërisht është i rëndësishëm roli i tyre për afirmimin dhe promovimin e zejtarisë, zhvillimin e ardhshëm të zejeve dhe avancimin e kësaj veprimtarie. Ministria e Ekonomisë e mbështet në vazhdimësi zejtarinë, e këtë e dëshmojmë edhe me mënyrën e udhëheqjes së politikave dhe zbatimit të masave që ishin parashikuar për këtë vit. Ministria e Ekonomisë, si kompetente për politikat për zejtari, punon në mënyrë të vazhdueshme në krijimin e kushteve për avancimin e zejtarisë dhe mbështetjen e zejtarëve, ndërsa këtë e tregojmë edhe me mënyrën e udhëheqjes së politikave dhe zbatimin e masave për mbështetjen e zejtarisë” tha Bekteshi në fjalimin e tij.
Sipas ministrit, si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer me odat zejtare, janë arritur rezultate të rëndësishme në vitet e fundit. Sidomos në vitet e kaluara, të cilat shënuan disa sfida, duke filluar nga kriza e Kovid-it e deri te kriza energjetike.
“Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e RMV-së në vazhdimësi në bashkëpunim me odat ka arritur të sigurojë mbështetje për zejtarët duke i përfshirë ata në të gjitha pakot e masave kundër krizës gjatë krizës së kovidit. U realizua ulja e normës së TVSH-së nga 18 në 5% për veprimtari të caktuara zejtare, zejtarët morën qasje në mjetet financiare pa kamatë nga Banka Zhvillimore Maqedonase, ndërsa si përgjigje ndaj krizës energjetike për veprimtari të caktuara zejtare nga industria ushqimore kemi siguruar të drejtën e çmimit preferencial të energjisë elektrike.
Mbështetja për zejtarët dhe odat e zejtarëve është rregullisht pjesë e Programit për sipërmarrësi dhe aftësi konkurruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me ç’rast mjetet financiare për mbështetje shënojnë rritje nga viti në vit, e gjithsesi edhe numri i zejtarëve të mbështetur”.
“Ministria e Ekonomisë edhe për vitin 2023 siguron subvencionim të zejtarëve për furnizimin e pajisjes dhe veglave, me ç’rast është parashikuar vlerë rekorde prej 5.000.000 denarëve” tha Ministri dhe shtoi se, ministria ka siguruar mjete në buxhetin për vitin 2023 për mbështetjen e odave të zejtarëve për implementimin e projekteve që do të jenë në drejtim të forcimit të kapaciteteve të zejtarëve përmes organizimit të trajnimeve për veprimtari individuale zejtare dhe zeje kreative, organizim të forumeve, pjesëmarrje dhe organizim të aktiviteteve (panaireve) promovuese, si dhe trajnime për forcimin e vetëdijes për përfitimet nga legalizimi i biznesit zejtar.