Bekteshi : Nëse ka masa të reja restriktive, do të ketë mbështetje shtesë për veprimtaritë më të prekura.

Nëse me masa të reja restriktive ka shkurtim të punës së disa veprimtarive, atëherë me siguri do të ketë mbështetje shtesë për to. Ne kemi vepruar në këtë mënyrë edhe në të kaluarën dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Sektori i turizmit dhe gatronomisë, i cili është më i prekur nga pandemia, mori edhe mbështetjen më të madhe përmes masave qeveritare, u shpreh ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në intervistën për “Magazinën ekonomike” të televizionit Alsat dhe paralajmëroi se së shpejti do të publikohet shpallja për vauçerë për të mbështetur turizmin vendor.

Marketing

“Do të vazhdojë të realizohet masa që ka të bëjë me vauçerët për stimulimin e turizmit vendor, duke marrë parasysh se situata është e paparashikueshme sa i përket sezonit turistik dhe tërheqjes së turistëve të huaj”. Thirrjet publike për këtë masë janë gati dhe do të publikohen diku në fillim të prillit, por kjo nuk do të jetë ndihma e vetme për sektorin e turizmit. Pra, është duke u realizuar i tërë programi për zhvillimin e turizmit në kuadër të sektorit të turizmit në Ministrinë e Ekonomisë. Nëse ndodhë që edhe ky sezon veror të humbet për shkak të pandemisë, pikërisht për këtë sektor do të ketë ndihmë shtesë”, deklaroi ministri Bekteshi në intervistën për “Magazinën ekonomike”.

Ministri, në intervistë theksoi se është në interes të qytetarëve dhe ekonomisë që sa më shpejtë të miratohen në Parlament ligjet që rezultojnë nga Pakoja e pestë e masave që janë bllokuar një kohë më të gjatë nga opozita.

“Do të ishte mirë që të mos bllokohen ligjet që janë në interes të qytetarëve, të të punësuarve në sektorin privat, por njëherësh edhe të kompanive nëse merret parasysh se edhe vitin e kaluar e kemi përfunduar me rënie ekonomike prej 4.5 për qind, që ishte thuajse identike me projeksionet e Qeverisë, e të gjitha të dhënat edhe për muajin janar dhe shkurt tregojnë se të ardhurat janë rritur edhe në kuadër të buxhetit, por edhe aktiviteti ekonomik është në bazë të parashikimeve. Unë do të doja të bëja edhe një herë thirrje, pikërisht së bashku t’i miratojmë ligjet që janë në interes të qytetarëve”, bëri thirrje Bekteshi. Ministri theksoi se masat e miratuara janë të targetuara edhe në konsultim me të gjitha odat dhe sindikatat si mbështetje parësore gjatë kësaj periudhe.

Lidhur me kërkesën e gastronomëve për dhënien e lejes për hapjen e restoranteve për dasma me protokolle të veçanta, ministri edhe njëherë theksoi se në këtë periudhë shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm, dhe se Qeveria vepron sipas rekomandimeve të Komisionit për sëmundje ngjitëse.

“Vitin e kaluar, thuajse të gjithë restorantet që organizojnë dasma u mbështetën drejtpërdrejt nga Ministria e Ekonomisë me grante speciale meqë janë një nga sektorët që u mbyllën plotësisht me vendim të Qeverisë dhe me propozim të Komisionit. Unë do të doja t’u bëj thirrje dhe njëherësh t’i lus për durim, duke marrë parasysh se prioritete mbi prioritetet për të gjithë qytetarët, për Qeverinë, por edhe për subjektet ekonomike dhe për pronarët dhe menaxherët e dasmave, është sigurisht shëndeti i qytetarëve. Nuk do të ishte një ndjenjë e mirë të përhapen klastere si pjesë e organizimit të ahengjeve të ndryshme në momentin në të cilin po flasim”, tha Bekteshi në intervistë.

Sipas Bekteshit, përkundër krizës së shkaktuar nga pandemia, të dhënat tregojnë stabilizim të ekonomisë. Buxheti është likuid, të hyrat e buxhetit janë në rritje, rritet shkëmbimi tregtar, ndërsa pritjet janë që ky trend të vazhdojë përgjatë gjithë vitit.

Marketing