Rezultati i LSI-së në zgjedhjet e 25 prillit nuk ka qenë i kënaqshëm dhe për këtë, Ben Andoni tha në studion e “Ilva Now” se problemi i LSI-së është i brendshëm. Ai i vuri theksin konfliktit të pretenduar të kryetares së LSI-së me bashkëshortin e saj dhe njëkohësisht themeluesin e kësaj partie.
“LSI-ja ka vuajtur jashtëzakonisht nga koka. Nga konflikti gati i hapur i znj. Kryemadhi me bashkëshortin, presidentin Meta”, u shpreh z. Andoni, duke shtuar që si rrejdhojë, baza e LSI-së ka qenë e paqartë për të ardhmen e kësaj partie.
Ben Andoni tha për znj. Kryemadhi që ka përdorur një strategji të gabuar në zgjedhje por edhe në menaxhimin e LSI-së, ndërsa ligjërimin e znj. Kryemadhi gjatë fushatës nëpër qytete, Ben Andoni e konsideron të dobët.
“Znj. Kryemadhi ka treguar se nuk e ka bazamentin e duhur për të drejtuar një formacion që bashkëshorti e ngriti gati nga hiçi. Unë mendoj se kjo ka qenë një ka handikapët më të mëdha të LSI-së. Strategjia e gabuar, ligjërimi politik që linte shumë për të dëshiruar dhe mënyrë se si është qasur nëpër rrethe”, u shpreh z. Andoni.
Ben Andoni shtoi se gabimet strategjike të Monika Kryemadhit kanë nisur që me lënien e mandateve, hap për të cilin presidenti Meta u shpreh kundër.